Sport

Pep Guardiola cakton Bernardo Silvën si kapitenin e ri të Manchester Cityt…

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka caktuar mesfushorin portugez Bernardo Silva, si kapitenin e tij të ri. Mesfushori 30-vjeçar mund të luajë sezonin e tij të fundit me fanelën e Cityt.

18 Qershor 2025, 12:00 Nga DOSJA
Pep Guardiola cakton Bernardo Silvën si kapitenin e ri të Manchester

ANGLI - Ndërsa Pep Guardiola zakonisht i lejon lojtarët dhe stafin të votojnë se kush duhet ta mbajë shiritin e kapitenit, këtë herë trajneri spanjol e ka caktuar personalisht Bernardo Silvën si kapitenin e ri, sipas ESPN. Ruben Dias, Rodri dhe Erling Haaland janë zëvendëskapitenët.

Ky mund të jetë sezoni i fundit i mesfushorit portugez me fanelën e “Citizens”, pasi ai sugjeroi se nuk do ta zgjaste kontratën e tij, e cila skadon në vitin 2026, pasi u bashkua nga Monaco në vitin 2017. 

“E di çfarë do të bëj, por tani nuk është koha për të folur për këtë ”, tha 30-vjeçari. “Jam shumë i përqendruar në sezonin tim. Jam shumë i përqendruar në performancën time me Manchester Cityn. Kur të vijë koha, do të flas për këtë.”

Trajneri 54-vjeçar, nga ana e tij, i justifikoi zgjedhjet e tij. "Unë jam trajneri këtë sezon. Për herë të parë në karrierën time, zgjodha kapitenin tim", tha ai.

"Nuk më pëlqeu ajo që ndodhi sezonin e kaluar (kapiteni i emëruar, Kyle Walker humbi shpejt vendin e tij si titullar dhe u largua në huazim te AC Milan gjatë afatit kalimtar të dimrit). Ndonjëherë dua të jem shefi dhe këtë sezon vendosa ta bëj.

Kështu që zgjodha katër kapitenët dhe në fund të Kupës së Botës për Klube, ndoshta do të zgjedhim një ose dy të tjerë."

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll