Bota

Mjekët pa Kufij i bëjnë thirrje BE-së të rrisë presionin ndaj Izraelit: Lini mënjanë retorikën boshe përballë situatës dramatike në Rripin e Gazës dhe ndërmerrni veprime konkrete!

MSF gjithashtu denoncon faktin se vendet evropiane vazhdojnë të furnizojnë Izraelin me armë që vrasin palestinezët.

17 Qershor 2025, 09:08 Nga N.F
Mjekët pa Kufij i bëjnë thirrje BE-së të rrisë
Foto

GAZA- Mjekët pa Kufij, MSF i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të lërë mënjanë "retorikën boshe" përballë situatës dramatike në Rripin e Gazës dhe të ndërmarrë veprime konkrete për të siguruar që Izraeli t'i japë fund krimeve të luftës në enklavën palestineze.

Apeli i organizatës joqeveritare iu drejtua shteteve anëtare dhe krerëve të institucioneve kryesore të BE-së, pasi çështja pritet të diskutohet në këshillin e saj të ardhshëm të punëve të jashtme në nivel ministror të hënën e ardhshme.

Letra bën thirrje veçanërisht për zgjerimin e aksesit të palestinezëve në ndihmën humanitare jetësore, pasi sipas tyre bllokada e vazhdueshme nuk është një masë legjitime sigurie por është një krim lufte. Evakuimet mjekësore duhet të shtohen gjithashtu, thekson Mjekët pa Kufij, të cilët vlerësojnë se rreth 13,000 njerëz, përfshirë mbi 4,500 fëmijë, janë aktualisht në nevojë urgjente.

“Bashkimi Evropian dhe shumë nga udhëheqësit e tij kanë zgjedhur së fundmi të qortojnë, por fjalët e tyre tingëllojnë boshe pasi nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm konkretë për t'i dhënë fund masakrës”, thuhet në letër. MSF gjithashtu denoncon faktin se vendet evropiane vazhdojnë të furnizojnë Izraelin me armë që vrasin palestinezët.

Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, jo shumë larg selisë së institucioneve evropiane, drejtuesit e OJQ-ve iu referuan kushteve dramatike në të cilat punonjësit e ndihmës emergjente dhe të shëndetësisë në Rripin e Gazës kryejnë detyrat e tyre, në sfondin e bombardimeve izraelite dhe urdhrave të pandërprerë për të larguar me nxitim civilët nga zonat që po shndërrohen në fusha operacionesh.

Çështja do të diskutohet nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së më 23 qershor në Bruksel. Këshilli do të diskutojë nëse Izraeli po i përmbahet Nenit 2 të marrëveshjes aktuale të asociimit me BE-në. Ky nen kërkon që të dy anëtarët të udhëhiqen në veprimet e tyre nga "respekti për të drejtat e njeriut dhe parimet demokratike".

be mjekët pa kufij rripi i gazes

Sondazh

Poll