Bota

Pesë referendume në Itali u shpallën të pavlefshme për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votim

Pjesëmarrja e qytetarëve italianë, të cilët zgjodhën të shprehnin vullnetin e tyre për pesë referendumet që kishin të bënin me të drejtat e punës dhe dhënien e shtetësisë shtetasve të huaj, sipas të dhënave të deritanishme, nuk i kaloi 30%.

9 Qershor 2025, 18:19 Nga N.F
Pesë referendume në Itali u shpallën të pavlefshme për
Foto ilustruese

ITALI- Rezultatet e pesë referendumeve në Itali shpallen të pavlefshme , pasi nuk morën numrin e kërkuar të votave. Konkretisht, pjesëmarrja e qytetarëve italianë, të cilët zgjodhën të shprehnin vullnetin e tyre për pesë referendumet që kishin të bënin me të drejtat e punës dhe dhënien e shtetësisë shtetasve të huaj, sipas të dhënave të deritanishme, nuk i kaloi 30%.

Si pasojë, rezultati i tyre është i pavlefshëm, sepse ligji përkatës përcakton që që çdo referendum të konsiderohet i vlefshëm, duhet të votojnë të paktën 50%+1 e atyre që kanë të drejtë vote. Në një postim në rrjetet sociale, partia e kryeministres italiane Giorgia Meloni theksoi se qëllimi i vetëm i vërtetë i këtij referendumi ishte rrëzimi i qeverisë. Sipas tyre në fund, italianët votuan në favor të rrëzimit të opozitës.

Partitë e aleancës qeveritare konservatore që qeveris vendin kishin mbështetur abstenimin, ndërsa forcat më të mëdha të opozitës (Partia Demokratike, Lëvizja Pesë Yje dhe e Majta Italiane me Ekologjistët) mbështetën një votë "po" në referendume.

Ministri i Jashtëm italian dhe kreu i partisë Forza Italia, Antonio Tajani, tha gjithashtu se shumica qeveritare do të ndërmerrte një iniciativë për të rritur numrin e nënshkrimeve të nevojshme për të kërkuar një referendum. Deri më sot, numri përkatës është 500,000 nënshkrime.

Radikalët italianë dhe partia "Më shumë Evropë", të cilat mbështetën referendumin për dhënien e shtetësisë, theksojnë se "fitoi abstenimi i organizuar, i cili u favorizua nga mungesa e informacionit të mjaftueshëm dhe nga një formë spontane e abstenimit".

Lidhur me katër referendumet për forcimin e të drejtave të punës, qytetarët që shkuan në votime votuan "po" me një përqindje që varionte nga 85% në 88%. Për referendumin që kërkonte uljen e kohës së nevojshme, nga dhjetë në pesë vjet, për t'u dhënë shtetësinë italiane qytetarëve të huaj që jetojnë përgjithmonë në vend, 62% e qytetarëve që shkuan në votime votuan pro.

itali

Sondazh

Poll