Aktualitet

Sot Kurban Bajrami/ Qindra besimtarë falin namazin në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", Spahiu: Paqe, begati e mirësi!

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu mbajti një fjalim të shkurtër gjatë ceremonisë. Ai theksoi rëndësinë e unitetit, dashurisë për njëri-tjetrit dhe ndihmës për ata në nevojë.

6 Qershor 2025, 07:24 Nga N.F
Sot Kurban Bajrami/ Qindra besimtarë falin namazin në bulevardin
Pamje nga vendi i ngjarjes

TIRANË- Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, festën që simbolizon sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Mëngjesin e sotëm qindra besimtarë myslimanë u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Ceremonia nisi në orën 06:15.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu mbajti një fjalim të shkurtër gjatë ceremonisë. Ai theksoi rëndësinë e unitetit, dashurisë për njëri-tjetrit dhe ndihmës për ata në nevojë.

"Të dashur vëllezër e motra, që jeni mbledhur sot, këtu në këtë shesh për të festuar ditën më të madhe të Kurban Bajramit. Sot kremtojmë festën, një ditë që bashkon zemrat tona në adhurim, mirënjohje dhe solidaritet. Si rrallëherë, sot bashkohet dita më e bukure e javës, e xhuma me ditën më të bukur të vitit, Kurban Bajramin, një gëzim i dyfishtë. Kurban Bajrami na rikujton sakrificën sublime të Profetit Ibrahim, paqja e zotit qoftë mbi të, i cili u përul me besim të plotë ndaj urdhrit të zotit dhe gjithësisë," tha Spahiu. 

Gjatë faljes së namazit u dhanë mesazhe edhe për luftën në Gaza teksa vendosën theksin te mos reagimi i shteteve për këtë popull i cili vuan mes luftës dhe urisë.

“Na vjen shumë keq për myslimanët në Gaza, inshallah Allahu i mishëroftë. E keqja është se nuk reagon bota për ata. Lutemi për ta”, ishin disa nga mesazhet.

Në të gjithë vendin, besimtarët myslimanë e kanë nisur kremtimin e kësaj feste duke iu drejtuar xhamive për të falur Namazin. Kurbani është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm”. Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojnë këtë festë islame.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të Madh konsiston në dy momente: e para, është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Mishi ndahet mes pjesëtarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve.

kurban bajrami

Sondazh

Poll