Bota

Rekord i ri temperaturash në maj në Emiratet e Bashkuara Arabe, termometri shënon 51.6 gradë Celsius

Në prill, Emiratet përjetuan mot të pazakontë të nxehtë për sezonin, me temperaturën mesatare maksimale që arriti në 42.6 gradë.

25 Maj 2025, 07:54 Nga N.F
Rekord i ri temperaturash në maj në Emiratet e Bashkuara Arabe,
Foto ilustruese

EMIRATE- Emiratet e Bashkuara Arabe përjetuan të premten temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë për muajin maj, që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2003. Merkuri u ngjit në 51.6 gradë Celsius, sipas Qendrës Kombëtare për Meteorologji (NCM).

Kjo temperaturë u regjistrua në orën 13:45 në Sueihan. Rekordi i mëparshëm, 50.4 pikë, ishte vendosur vetëm një ditë më parë në Abu Dhabi. Në prill, Emiratet përjetuan mot të pazakontë të nxehtë për sezonin, me temperaturën mesatare maksimale që arriti në 42.6 gradë.

Autoritetet u detyruan të lëshonin paralajmërime për banorët, duke u kërkuar atyre të pinin shumë ujë dhe të shmangnin aktivitetet në natyrë gjatë orëve më të nxehta të ditës. Më 27 prill, termometri tregoi 46.6 gradë, duke iu afruar rekordit absolut për muajin prill që ishte vendosur në vitin 2012, me 46.9 gradë.

Brenda 30 viteve, numri i ditëve shumë të nxehta është pothuajse dyfishuar në të gjithë botën. Shkencëtarët theksojnë se valët e përsëritura të të nxehtit janë padyshim një tregues i ngrohjes globale. Këto valë të nxehti pritet të shumohen, të intensifikohen dhe të zgjasin më shumë.

emiratet e bashkuara arabe

Sondazh

Poll