Sport

Napoli nuk gabon, shpallet kampion i Italisë! - VIDEO

Fitorja e Interir 2-0 ndaj Comos nuk ka më asnjë vlerë.

23 Maj 2025, 22:46 Nga DOSJA
Napoli nuk gabon, shpallet kampion i Italisë! - VIDEO

ITALI - Napoli është kampion i Italisë për të katërtën herë në histori, kjo falë një fitoreje 2-0 në javën e fundit të kampionatit përballë Cagliarit, duke lënë pas me vetëm një pikë Interin, që paralelisht mundi Comon në transfertë 0-2.

Sfida e luajtur në “Diego Armando Maradona” nisi fuqishëm nga ana e vendasve, të cilët provuan në disa raste në pjesën e parë, por u ndalën nga portieri i Kombëtares shqiptare, Alen Sherri. Gjithsesi, ish-gardiani i Egnatias nuk mund të bënte asgjë në minutën e 42-të, kur McTominay realizoi një supergol.

Edhe pse nuk luante për asgjë, Cagliari u përpoq të merrte barazimin, por një kundërsulm i nisur nga Rrahmani, u shndërrua në gol nga ana e Lukakut në minutën e 51-të, duke vulosur çdo gjë.

Në sfidën tjetër paralele, Interi bëri detyrën, duke fituar 0-2 kundër Comos falë golave të De Vrij në minutën e 20-të dhe Correas në të 51-tën, por asgjë nuk ishte në dorën e zikaltërve, të cilët shohin të humbasin titullin sërish javën e fundit, njësoj si në vitin 2022 me Milanin.

Kështu Napoli i Contes shpallet kampion i Italisë për herë të katërt në histori dhe i dyti në tre vitet e fundit, ndërsa Interi tani do të fokusohet vetëm në finalen e 31 majit në Mynih, ku do të përballet me PSG-në për titullin e Ligës së Kampionëve.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll