Sport

Luka Modriç largohet nga Reali, trajneri kroat Daliç: "Shpresojmë që ai të na çojë në Kupën e Botës"

“Talenti i tij në futboll është i jashtëzakonshëm, por pasioni i tij për futbollin dhe për fitoren, gatishmëria e tij për të sakrifikuar për ekipin, vizioni dhe mendja e tij e kanë bërë atë fitues të “Topit të Artë” dhe një legjendë të futbollit botëror”.

23 Maj 2025, 15:30 Nga DOSJA

Luka Modriç largohet nga Reali, trajneri kroat Daliç:

KROACI - Pas 13 vitesh, 28 trofeve dhe një “Topi të Artë”, Luka Modriç largohet nga Real Madridi. Mesfushori 39-vjeçar kroat do të luajë në Kupën e Botës për Klube me ‘los blancos’ përpara se të fillojë një fazë të re në karrierën e tij.

Mes shumë mesazheve falënderuese, ishte edhe një nga Zlatko Dalic, trajner I kombëtares kroate: "Luka është një nga historitë më të bukura në futboll, nëse marrim parasysh nga vjen dhe ku ka mbërritur.

Të shtunën, një stadium i mbushur plot me tifozë do ta mirëpresë atë si një nga lojtarët më të mëdhenj që tifozët kanë parë ndonjëherë të veshur me fanelën e klubit më të suksesshëm në botë, një skenar i pabesueshëm për një djalë nga rrethinat e Zadarit, në Kroacinë tonë të vogël.

Të gjitha ato suksese, trofe, respekt nga shokët e ekipit, trajnerët, kundërshtarët dhe tifozët anembanë botës, të gjitha komplimentet, lavdërimet dhe admirimet: ai i meritonte të gjitha, me punën, personalitetin dhe karakterin e tij.

Talenti i tij në futboll është i jashtëzakonshëm, por pasioni i tij për futbollin dhe për fitoren, gatishmëria e tij për të sakrifikuar për ekipin, vizioni dhe mendja e tij e kanë bërë atë fitues të “Topit të Artë” dhe një legjendë të futbollit botëror.

Pres me padurim ta shoh në takimin në Rijeka dhe të gjithë do ta mbështesim në këtë fazë të re të udhëtimit të tij futbollistik, çfarëdo që të zgjedhë Luka. Sigurisht që e shoh atë si kapiten të ekipit tonë kombëtar në periudhën e ardhshme, deri në Kupën e Botës 2026."

Presidenti i federatës kroate, Marijan Kustić, është i të njëjtit mendim: "Luka largohet nga Real Madridi si një legjendë absolute e klubit më të madh në botë. Kontributi i tij në suksesin e jashtëzakonshëm të Real Madridit ishte i pamatshëm dhe, përveç cilësive të tij të pakrahasueshme si lojtar, ai fitoi të gjithë tifozët e Real Madridit dhe tifozët e futbollit në të gjithë botën me sjelljen e tij shembullore dhe karakterin fitues.

Ai është bërë një nga më të mëdhenjtë e Real Madridit, por edhe një nga mesfushorët më të mirë të të gjitha kohërave, kështu që jam i sigurt se ai do të marrë një duartrokitje të paparë dhe të merituar në Santiago Bernabeu të shtunën.

Luka e meritonte të vazhdonte të zgjidhte rrugën e tij të futbollit, në të cilën do të ketë mbështetjen tonë të plotë, dhe si president I federatës shpresoj - dhe besoj thellësisht - se si kapiten ai do ta udhëheqë ekipin tonë kombëtar në Kupën e Botës 2026."

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll