Politike

"Kur të merrni në dorë fletën e votimit kujtoni si ishte Tirana", Veliaj: Vota për Saliun, do të thotë t’i vësh shkelmin çdo gjëje që kemi ndërtuar

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maji të shkojnë drejt qendrave të votimit dhe përpara se të shënojnë votën të kujtojnë si ka qenë Tirana dhe si ëshë sot.

9 Maj 2025, 14:33 Nga N.F
"Kur të merrni në dorë fletën e votimit kujtoni si
Veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj përmes një postimi ka reaguar dy ditë para zgjedhjeve. Veliaj në reagimin e tij është kthyer pas në kohë kur mori detyrën teksa theksoi se Tirana ishte pa rrugë dhe parqe ndërsa theksoi sot kryeqyteti pret Giro D'Italia.

Më tej Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maji të shkojnë drejt qendrave të votimit dhe përpara se të shënojnë votën të kujtojnë si ka qenë Tirana dhe si ëshë sot. Sipas tij vota për kreun e opozitës, Sali Berisha do të thotë t’i vihet shkelmi çdo gjëje që kanë ndërtuar dhe të ardhmen europiane të fëmijëve tanë.

Veliaj shtoi se vota duhet të jetë për punën, për shpresën, për transformimin. Ai ftoi qytetarët të votojnë Partinë Socialiste dhe Edi Ramën për Shqipërinë që ecën përpara.

Postimi i plotë:

Të dashur miq, qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, Kur shoh sot Giro d’Italia që organizohet në Shqipëri, e që sot pasdite mbërrin në Tiranë, më kujtohet ajo Shqipëria e Tirana gri, pa parqe, pa rrugë, pa vizion, pa dinjitet, ku as nuk ecje dot me biçikletë, jo më të organizohej një event me përmasa botërore si ky.

Dhe ndihem realisht krenar – jo për vete, por për Tiranën tonë që sot është e gjelbër, gumëzhin nga energjia e puna, ka shkolla e parqe e rrugë e mundësi për qytetarët, si një qytet i vërtetë europian. Ndihem krenar për Shqipërinë tonë që jo vetëm është transformuar në mënyrë dramatike, aq sa duket si një vend tjetër nga ai që kishim deri dje, por po ecën me një ritëm marramendës drejt Europës që kemi ëndërruar aq gjatë.

Do të doja shumë të isha në këtë fushatë jo si spektator, por si pjesë e saj. Sepse besoj fort, me gjithë shpirt, tek kjo rrugë që kemi ndërtuar së bashku. Por, edhe në distancë, nuk mund të mos ju bëj një thirrje nga zemra:

Të dielën, kur të shkoni për të votuar, kur të merrni në dorë fletën e votimit e shihni aty listën e partive e kandidatëve, ndaluni një çast e kujtoni pak si ishte Tirana dhe si është sot. Kujtoni si ishte Shqipëria dhe çfarë është bërë. Kujtoni kush janë ata që e sollën këtë ndryshim dhe kush janë ata që duan ta kthejnë pas.

Një votë për Saliun & Co do të thotë t’i vësh shkelmin çdo gjëje që kemi ndërtuar, të ardhmes europiane të fëmijëve tanë. Por nuk duhet të jetë frika nga ajo turmë zullumqare arsyeja për të bërë zgjedhjen e drejtë në 11 maj. Vota juaj në 11 maj nuk duhet të jetë një votë kundër Saliut apo partizave të dala nga barku i PD. Vota juaj duhet të jetë një votë për punën, për shpresën, për transformimin. Vota juaj duhet të jetë një votë për të tashmen që na bën krenar dhe të ardhmen europiane që meritojmë.

Ka vetëm një ekip në fushë që meriton sot besimin tuaj. Prandaj, me gjithë dashurinë dhe mirënjohjen time, ju ftoj: Votoni Partinë Socialiste. Votoni Edi Ramën. Votoni Shqipërinë që ecën përpara!

veliaj

Sondazh

Poll