Bota

"Ju mediat publikoni lajme të rreme"! Trump përplaset me gazetarin e ABC News: Të zgjodha se nuk kisha dëgjuar për ty, por nuk je shumë i sjellshëm (VIDEO)

Gjatë diskutimit, Trump u shfaq disa herë i irrituar nga pyetjet që Moran i bëri dhe veçanërisht nga këmbëngulja e gazetarit për rastin e Kilmar Ambrogo Garcias, një emigrant salvadorian në Shtetet e Bashkuara, i martuar me një grua amerikane dhe baba i një fëmije të vogël, të cilin qeveria e kishte njohur si të deportuar padrejtësisht.

30 Prill 2025, 08:34 Nga E. D
"Ju mediat publikoni lajme të rreme"! Trump përplaset me
Donald Trump dhe Terry Moran

SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump, pati disa momente tensionuese në intervistën me gazetarin e ABC-së, Terry Moran, me rastin e mbushjes së 100 ditëve nga rikthimi i presidentit amerikan në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë diskutimit, Trump u shfaq disa herë i irrituar nga pyetjet që Moran i bëri dhe veçanërisht nga këmbëngulja e gazetarit për rastin e Kilmar Ambrogo Garcias, një emigrant salvadorian në Shtetet e Bashkuara, i martuar me një grua amerikane dhe baba i një fëmije të vogël, të cilin qeveria e kishte njohur si të deportuar padrejtësisht.

Trump pretendoi se Garcia ishte anëtar i bandës MS-13, duke treguar një foto ku dyshohet se ka të tatuazhuara në gishta inicialet e organizatës. Megjithatë, ky imazh i veçantë të cilin republikani e ka ndarë më parë po vihet në dyshim nga kritikët e tij, të cilët pretendojnë se është manipuluar dixhitalisht.

Sipas Independent nuk ka prova të tjera që lidhin Ambrogo Garcian me MS-13. Gjithashtu gazetari Moran theksoi se lidhja e Garcias me bandën është një çështje mosmarrëveshjeje dhe u përpoq të kalonte në pyetjen tjetër, por Trump reagoi duke përsëritur se ekziston një foto me tatuazhin. 

"Imazhi është i manipuluar", u përgjigj më pas Moran, me presidentin amerikan që u acarua edhe më shumë dhe i kujtoi gazetarit se e zgjodhi atë për intervistën, por nuk është shumë i kënaqur me qëndrimin e tij.

"Po të japin mundësinë e jetës, të bësh intervistën. Të zgjodha sepse, sinqerisht, as nuk kisha dëgjuar për ty, por kjo është në rregull... Por nuk je shumë i sjellshëm," i tha Trump gazetarit. 

Kur Moran përsëriti qëllimin e tij për të kaluar në një çështje tjetër, Trump e ndërpreu përsëri: "A doni t'ju tregoj foton?"

"E pashë," u përgjigj gazetari.

"Mund të interpretohet kështu... Dua të transferohem në Ukrainë", shtoi Moran.

Megjithatë, Trump këmbënguli: “Jo, jo, jo. Ishte shkruar me shkronja të mëdha, qartësisht, nuk është çështje interpretimi... Kjo është arsyeja pse njerëzit nuk u besojnë më mediave.”

Por ky nuk ishte i vetmi moment tensioni midis Presidentit dhe gazetarit. Në një moment tjetër të intervistës, kur Moran e pyeti Trumpin nëse i besonte 100% Sekretarit të Mbrojtjes të administratës së tij, Pete Hegseth, ai e quajti pyetjen budallallëk, duke shtuar se ai nuk është as 100% i sigurt se kjo intervistë do të përfundojë.

Së fundmi, presidenti amerikan foli në një mënyrë mjaft përçmuese për median, duke e përshkruar ABC-në si një nga më të këqijat në aspektin e mashtrimit të publikut.

“Ne kishim një president krejtësisht të paaftë. Ju e dinit, të gjithë e dinin. Por ju nuk donit ta shkruanit sepse po publikoni lajme të rreme”, i tha Trump Moran.

 

terry moran donald trump

Sondazh

Poll