Aktualitet

"Aleatë në uniformë"/ Shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare shkon në Washington, theksohet partneriteti me SHBA prej 24 vitesh

Gjeneral Kingji takohet me homologun amerikan, Gjeneral Nordhaus – Bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit fuqizon gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë ushtarake të Shqipërisë

15 Prill 2025, 20:51 Nga A.Ll
"Aleatë në uniformë"/ Shefi i Shtabit të
Gjeneral-lejtnant Arben Kingji vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara

UASHINGTON - Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneral-lejtnant Arben Kingji, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku u prit nga Gjenerali Steve Nordhaus, Shef i Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA. Takimi u zhvillua në Washington, DC dhe synoi thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, vihet në pah rëndësia e veçantë e marrëdhënies së gjatë dhe të qëndrueshme prej 24 vitesh mes Gardës Kombëtare të shtetit të Nju Xhersit dhe Forcave të Armatosura Shqiptare, në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.

“Kjo marrëdhënie bashkëpunimi për sigurinë ndërmjet aleatëve të NATO-s rrit gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë e forcave tona të armatosura përkatëse, duke na bërë më të fortë së bashku”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Bashkëpunimi i gjatë është konkretizuar përmes stërvitjeve të përbashkëta, shkëmbimeve të trajnimeve, ndihmës teknike dhe mbështetjes për modernizimin e kapaciteteve ushtarake shqiptare. Përmes këtij partneriteti, Shqipëria ka forcuar rolin e saj si një aleat i besueshëm dhe aktiv brenda NATO-s.

Gjenerali Kingji, në fjalën e tij gjatë vizitës, ka vlerësuar ndihmën e pazëvendësueshme të SHBA-së në transformimin dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe ka theksuar angazhimin e palëkundur të vendit për të qenë një faktor sigurie dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Kjo vizitë konfirmon edhe njëherë se partneriteti strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA-së nuk është vetëm politik e diplomatik, por edhe thellësisht ushtarak dhe operativ, duke treguar një aleancë të fortë që sfidon kohën dhe sfidat globale të sigurisë.

gjeneral-lejtnant arben kingji vizitë zyrtare në shtetet e bashkuara të amerikës

Sondazh

Poll