Shqipëria forcon kapacitetet për Emergjencat/ Vengu: Stërvitja rajonale, dëshmi e angazhimit në Mbrojtjen Civile të BE-së
Stërvitja u mbajt në zonën e Dajçit, në Shkodër, dhe përfshiu ekipe nga Shqipëria, Italia, Greqia, Bullgaria dhe BE
11 Prill 2025, 20:31Nga A.Ll
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu
TIRANË - Në një demonstrim të fuqishëm bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar, Shqipëria mirëpriti stërvitjen “Flood North Albania”, një ushtrim i gjerë për përballimin e emergjencave civile, veçanërisht përmbytjeve, që mbeten një nga rreziqet më të mëdha natyrore për vendin.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i pranishëm në stërvitje, theksoi rëndësinë e saj si dëshmi konkrete e angazhimit të Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.
“Shqipëria është ndër vendet më të prekura nga përmbytjet në Europë. Çdo vit preken rreth 50,000 qytetarë dhe dëmet arrijnë në 35 milionë euro. Mbrojtja civile është kthyer në një prioritet strategjik.”
Stërvitja u mbajt në zonën e Dajçit, në Shkodër, dhe përfshiu ekipe nga Shqipëria, Italia, Greqia, Bullgaria dhe BE, të cilat simuluan operacione kërkim-shpëtimi, evakuim të banorëve dhe kafshëve, si dhe largim uji me pompa të fuqishme.
“Qasje të përbashkëta si kjo shmangin mbivendosjen e ndihmës dhe forcojnë reagimin kolektiv,” – u shpreh ministri Vengu.
Vengu nënvizoi se Shqipëria tashmë jo vetëm merr ndihmë, por edhe jep kontribut konkret në terren dhe në tryezat e politikëbërjes për Mbrojtjen Civile në BE.
Projekti, i financuar nga DG ECHO (Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Europian për Mbrojtje Civile dhe Ndihmë Humanitare), nisi në janar 2024 dhe do të zgjasë deri në dhjetor 2025, me përfshirjen Mali të Zi, Kosovës, Greqisë, Italisë, Qipros, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Kjo stërvitje përfaqëson një sukses organizativ për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila udhëheq projektin dhe po konsolidohet si një aktor rajonal me rol të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes civile.