Bota

Australia kundërshton idenë e Kinës për aleancë kundër tarifave të Trump: Nuk duam të shohim luftë tregtare!

Ambasadori i Kinës në Australi, Xiao Qian i bëri thirrje Canberrës dhe partnerëve të tjerë tregtarë që të përballen së bashku me ndryshimet globale.

10 Prill 2025, 07:49 Nga N.F
Australia kundërshton idenë e Kinës për aleancë
Foto ilustruese

AUSTRALI- Australia hodhi poshtë thirrjen e Kinës për të bashkuar forcat në tregti, ndërsa Pekini kërkon partnerë për të kundërshtuar tarifat shtesë të SHBA, të cilat janë rritur në 125% për mallrat. Ambasadori i Kinës në Australi, Xiao Qian i bëri thirrje Canberrës dhe partnerëve të tjerë tregtarë që të përballen së bashku me ndryshimet globale.

"Duke pasur parasysh rrethanat e reja, Kina është e gatshme të veprojë krah për krah me Australinë," tha ai.

Megjithatë, ministri australian i mbrojtjes, Richard Marles, nxitoi të ndalojë idenë se do të kishte veprime të përbashkëta midis Kanberrës dhe Pekinit.

"Kjo nuk do të ndodhë," tha ai për rrjetin televiziv 9 News, "Unë nuk mendoj se ne do të mbajmë dorën e Kinës. Ne nuk duam të shohim një luftë tregtare midis Amerikës dhe Kinës, për të qenë të qartë (...) qëllimi ynë është të diversifikojmë transaksionet tona tregtare."

Australia konsiderohet një aleat kyç i SHBA-së në rajonin e Azi-Paqësorit, veçanërisht me rritjen e fuqisë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të Kinës. Por Kina është gjithashtu partneri më i madh tregtar i Australisë. Australia po përballet me një tarifë shtesë prej 10% për mallrat që eksporton në SHBA. Kina po përballet me tarifa 125% për produktet e saj.

shba australi kine

Sondazh

Poll