Aktualitet

Zbulohet një shtëpi bari në Laknas, në pranga dy vëllezër dhe një punonjës i OSHEE-së, nën hetim babai (EMRAT)

Bëhet me dije se banesa ishte në pronësi të dy vëllezërve të cilët janë arrestuar nga Policia ndërsa ka nisur procedimi penal për babain e tyre pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të paligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar. Gjithashtu në pranga ka rënë edhe një punonjës i OSHEE-së.

19 Mars 2025, 08:25 Nga B.Z
Zbulohet një shtëpi bari në Laknas, në pranga dy
Shtëpia e barit

TIRANË - Një shtëpi e përshtatur për kultivimin e lëndëve narkotike është zbuluar nga Policia në Laknas të Tiranës. Bëhet me dije se banesa ishte në pronësi të dy vëllezërve (Shkëlqim dhe Fatmir Matraxhi) të cilët janë arrestuar nga Policia ndërsa ka nisur procedimi penal për babain e tyre (Z.Matraxhi) pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të paligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar.

Gjithashtu në pranga ka rënë edhe një punonjës i OSHEE-së, (Endrit Paja) nën akuzën për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.

Ndërkohë gjatë kontrollit të banesës, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, operacioni policor “Llamba”, për goditjen e një rasti të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.

Sekuestrohen lëndë narkotike dhe pajisje elektrike të përdorura për kultivim.

Arrestohen dy vëllezër, të cilët dyshohen se kishin përshtatur banesën për këtë veprimtari kriminale, procedohet penalisht babai i tyre për moskallëzim.

Në pranga edhe një punonjës i OSHEE-së për shpërdorim detyre.

Në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 finalizuan operacionin policor të koduar “Llamba”, në kuadër të të cilit u identifikua një banesë, në fshatin Laknas, e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, ku për rritjen e tyre ishin instaluar pajisje ndriçimi dhe ventilimi, ndërsa energjia elektrike merrej në mënyrë të paligjshme.

Gjatë operacionit u arrestuan 2 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, të cilët kultivonin bimët në ambientet e kësaj banese, konkretisht shtetasit Sh. M., 38 vjeç dhe F. M., 28 vjeç.

Po ashtu, në vijim të veprimeve, u procedua në gjendje të lirë babai i tyre, shtetasi Z. M., 66 vjeç, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të paligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar.

Në vijim të hetimeve, është vënë në pranga edhe punonjësi i OSHEE-së, shtetasi E. P., 29 vjeç, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.

Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, rreth 60 cm të larta, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.

shtepi bari laknas policia

Sondazh

Poll