Bota

Skandali Huawei, pse u anuluan planet për të luftuar korrupsionin në BE?

14 Mars 2025, 10:09 Nga N.F
Skandali Huawei, pse u anuluan planet për të luftuar korrupsionin
Foto ilustruese

EVROPË- Për herë të dytë në dy vjet, Parlamenti Evropian është në qendër të një skandali të madh korrupsioni në BE. Megjithatë, anëtarët e saj mbeten të ndarë rreth asaj se si të godasin praktikat e dyshimta që ndodhin në Bruksel.

Autoritetet belge mbyllën dy zyra në Parlamentin Evropian dje, të enjten, si pjesë e një hetimi më të gjerë për aktivitetet e ryshfetit dhe lobimit nga gjigandi kinez i teknologjisë Huawei në Evropë. Operacioni të kujtonte skandalin e vitit 2022, kur Katari u akuzua për përpjekje për të ndikuar te eurodeputetët përmes ryshfetit dhe dhuratave.

Bllokadë në reformë

Pas skandalit të Katargatit, u hartuan plane për të goditur korrupsionin. Megjithatë, disa eurodeputetë kundërshtojnë krijimin e një organi të posaçëm mbikëqyrës. Shumica e Parlamentit Evropian, e udhëhequr nga Partia Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë, ka ngadalësuar zbatimin e një organi të përbashkët të etikës që nga fillimi i mandatit të ri, sipas Politico.

Ajo kundërshton krijimin e organit, ka ngadalësuar emërimin e ekspertëve të saj dhe, dy javë më parë, votoi me partitë e ekstremit të djathtë heqjen e 110,000 eurove të akorduara për këtë organ. 

Dhe kjo, edhe pse kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola e cila gjithashtu vjen nga PPE, ishte ajo që e promovoi planin pas skandalit të Katargate në mandatin e saj të mëparshëm.

Presioni po rritet


Trupi i etikës ishte pjesë e një plani reformash prej 14 pikash, i cili përfshinte gjithashtu ndërgjegjësimin për detyrimet e transparencës dhe çështjet e konfliktit të interesit, si dhe trajnimin për sinjalizimin.

Pas akuzave të reja të së enjtes për ryshfet, korrupsion, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash, presioni ndaj anëtarëve të Parlamentit Evropian për të goditur korrupsionin pritet të rritet më tej.

Sondazh

Poll