Politike

"Kandidaturat tona janë të denja për 3 parlamente"/ Berisha: Ky është viti kur diaspora do përmbysë narkodiktaturën

Lideri demokrat u shpreh optimist për fitore në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ndërsa u shpreh se ky vit është sipas tij viti kur diaspora shqiptare do të përmbysë narkodiktaturën. 

12 Mars 2025, 20:26 Nga DOSJA
"Kandidaturat tona janë të denja për 3 parlamente"/
Foto ilustruese

TIRANË - Kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike deklaroi se kandidaturat e kësaj force politike të publikuara këtë pasdite janë sipas tij të denja për 3 parlamente. 

Lideri demokrat u shpreh optimist për fitore në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ndërsa u shpreh se ky vit është sipas tij viti kur diaspora shqiptare do të përmbysë narkodiktaturën. 

Pjesë nga fjala e Berishës

Në këtë garë, siç jeni dëshmitarë, më e hapura në historinë e këtij vendi, qindra djem, vajza, burra, gra, paraqitën lirshëm, pa asnjë lloj presioni apo ndikimi vullnetin e tyre për të kandiduar për forcën tonë politike.
Këto kandidatura të shkëlqyera do të thosha, ishin të denja për tre parlamente.
Vështirësitë e mëdha ishin për zgjedhjen e të mirëve dhe më të mirëve mes tyre.
Por kjo ishte edhe një dëshmi e madhe e besimit ndaj PD dhe një vendosmëri e madhe për të shpëtuar Shqipërinë nga narkodiktatura.
Pra, në qoftë se kthehemi në krahun tjetër, çfarë do gjeni? Delinkuentë, kriminelë, ministra të veshur me Dolce- Gabbana apo firma shumë më të shtrenjta, por që paratë i kanë nga kriminelët.
Si i tha ai Altin Hajri? Merrja masën atij t’i bëjmë dy kostume.
Ky është vetëm një aspekt i tyre. Kështu që kudo që shkojnë Uluzitë, Lubitë, shkojnë me një barrë të rëndë dosjesh krimi në shpinën e tyre.
Kurse përfaqësuesit tuaj janë përfaqësues që vijnë si njerëz të lirë para jush. Shkojnë si njerëz të lirë para qytetarëve dhe ky është një ndryshim madhor, ndryshim si nata me ditën.
Larg të qenurit të përsosur, por dallimi është i jashtëzakonshëm mes përfaqësuesve të tyre.
Shqiptarët e kanë të qartë këtë si rrezja e diellit. Ju e keni parë, ata nisën të parë turin e diasporës. U fik turi i tyre. U shkim, thonë në një shqipe më të hershme. U shua.
Mos na hajdeni se nuk duam t’u shohim, kjo ishte e vërteta. Pastaj u kthyen dhe bënë gjithçka që të votojë sa më pak diaspora.
Jo, jo, ky është viti i diasporës. Viti 2025 do shkruhet me germa të arta në historinë kombëtare si viti i diasporës shqiptare.
Si viti kur diaspora me votën e vet përmbysi diktaturën e drogës, krimit të Edi Ramës.
Ndaj dhe diaspora në mbështetje të PD-së në vitin e saj, diaspora e vendosur të përsërisë revolucionin demokratik të viteve ’90 është bërë tmerri dhe ferri i tyre.
Në mënyrën më të papërmbajtur, dy javët e fundit, kur e kuptuan që ua preu biletën diaspora, bënë gjithçka për të mos lejuar votimin e saj.
Por votat janë 250 mijë u regjistruan, 250 mijë të tjerë janë të betuar të vijnë nga ajri, toka, deti për të votuar me 11 maj. Edi Rama është absolutisht i pashpresë.

sali berisha pd

Sondazh

Poll