Bota

Kush fshihet pas videos "Gaza e Trump"? Mohimi i Mel Gibson dhe publikimi i pamjeve pa pëlqimin e krijuesit të tyre

Autori i krijimit të pamjeve ka deklaruar se videoja është shtrembëruar dhe publikuar pa pëlqimin e tij.

6 Mars 2025, 22:06 Nga r.ll
Kush fshihet pas videos "Gaza e Trump"? Mohimi i Mel Gibson dhe
pamje nga videoja e bujshme

GAZA- Palma, resorte luksoze dhe statuja të arta. Më pas dollia mes Trump dhe Netanyahu duke pirë një koktej në plazh: kjo është "Gaza e ardhshme" për Trump, një video e diskutueshme virale, e krijuar nga inteligjenca artificiale, e cila kishte rinisur propozimin e manjatit për të përzënë palestinezët nga Gaza dhe për ta shndërruar atë në një vendpushim turistik.

Në realitet, "Gaza e Trump" nuk synohej të ishte ndonjë nga këto gjëra, por më tepër një kritikë e madhështisë Trumpiane, një satirë prerëse. Filmi, megjithatë, u shtrembërua dhe u botua pa pëlqimin e krijuesit të tij: një intrigë që përfshin Hollywood dhe gjithashtu përfshin Mel Gibson.

Kush e krijoi videon "Gaza e Trump"

"Gaza e Trump" u krijua nga Solo Avital, një regjisor me bazë në Los Anxhelos dhe shtetas amerikan i lindur në Izrael, i cili tregoi historinë prapa skenave: “Ne jemi tregimtarë, jo provokatorë, ndonjëherë bëjmë pjesë satirike si kjo dhe kështu duhet të ishte trajtuar. Ky është dualiteti i satirës: varet nga konteksti. Nuk kishte asnjë kontekst këtu dhe u publikua pa pëlqimin ose dijeninë tonë", tha Avital.

Tetë orë për ta krijuar atë me inteligjencë artificiale

Regjisori shpjegoi se ai e krijoi videon në më pak se tetë orë ndërsa eksperimentonte me mjetet e inteligjencës artificiale në fillim të shkurtit me platformën Arcana AI, kur vendosi të bënte "një satirë mbi këtë ide megalomane të vendosjes së statujave" për të parë se çfarë mund të bënte mjeti. Më pas e ndau videoklipin me miqtë, ndërsa partneri i tij i biznesit, Ariel Vromen, regjisor i filmit “The Iceman ” – e postoi atë në llogarinë e tij në Instagram për disa orë, përpara se Avital ta inkurajonte që ta hiqte me arsyetimin se “mund të jetë paksa e pandjeshme dhe ne nuk duam të mbajmë anë”.

Ndarje me Mel Gibson

Avital dhe Vromen ndanë gjithashtu një version të hershëm të pamjeve me Mel Gibson, të cilin Trump e emëroi si ambasador special në Hollywood në janar dhe që kishte bashkëpunuar më parë me kompaninë e tyre EyeMix dhe me Arcana. Hera e parë që Avital e dinte se videoja kishte arritur një audiencë më të gjerë ishte kur u zgjua nga mijëra mesazhe në telefonin e tij , ndërsa miqtë e lajmëruan për postimin e Trump. Krijuesit sqaruan më tej se Gibson më vonë mohoi ndarjen e videos së tyre me Trump.

Surpriza e Avital

Sipas Guardian, e cila rindërton të gjithë historinë, Avital tha se ishte i befasuar nga disa nga reagimet ndaj videos. "Nëse do të kishte qenë një skeç i Saturday Night Live, do të ishte perceptuar në të kundërtën: shikoni sa i çmendur është ky president me idetë e tij, të gjithë do të kishin menduar se ishte një shaka."

Regjisori shpjegoi se përvoja e përforcoi idenë e tij "se si përhapen lajmet e rreme kur rrjeti merr atë që dëshiron dhe ua ofron shikuesve të tij me narrativat e veta të bashkangjitura". Avital shpresonte se kjo përvojë do të "ngjallte një debat publik për të drejtat dhe gabimet" e AI gjeneruese, duke përfshirë të drejtat e krijuesve.

Së fundmi, si një profesionist krijues, ai e konsideron inteligjencën artificiale si “gjëja më e mirë që i ka ndodhur ndonjëherë krijimtarisë. Dhe për të gjithë ata që mendojnë se do të vrasë kreativitetin, ne jemi provë të kundërtën. Ky film nuk do të ishte krijuar pa ndërhyrjen njerëzore”./La Stampa

donald trump

Sondazh

Poll