Bota

Përpasjet për kanalin e Panamasë/ Presidenti José Raúl Mulino akuzon Donald Trump se po gënjen për “rikuperimin” e kanalit

Presidenti i Panamasë e quan retorikën, një fyerje ndaj sovranitetit kombëtar

5 Mars 2025, 18:50 Nga A.Ll

Përpasjet për kanalin e Panamasë/ Presidenti José

Panama - Presidenti i Panamasë, José Raul Mulino, ka akuzuar homologun e tij amerikan, Donald Trump se ka “gënjyer” për faktin që Uashingtoni ka marrë përsëri kanalin e Panamasë.

“Presidenti Trump po gënjen edhe një herë. Kanali i Panamasë nuk është në proces rikuperimi,”- shkroi Mulino në X.

“Unë e refuzoj, në emër të Panamasë dhe të gjithë panamezëve, këtë fyerje ndaj së vërtetës dhe dinjitetit tonë si komb”,- shkroi Mulino të mërkurën.

“Për të rritur më tej sigurinë tonë kombëtare, administrata ime do të rimarrë kanalin e Panamasë dhe ne tashmë kemi filluar ta bëjmë atë”, - tha Trump në fjalimin e tij në Kongres të martën.

Komentet e Trump erdhën disa orë pasi, nën presionin në rritje të Uashingtonit, firma e Hong Kongut, Hutchison tha se kishte rënë dakord t’I shiste portet e saj fitimprurëse të kanalit të Panamasë tek një konsorcium i udhëhequr nga SHBA.

CK Hutchison Holdings tha se do të shkarkojë 90% të aksioneve në Panama Ports Company (PPC) dhe do t'i shesë një mori portesh të tjera jo-kineze një grupi të udhëhequr nga menaxheri i aseteve BlackRock.

"Shitësit do të marrin 19 miliardë dollarë," - tha kompania.

CK Hutchison këmbënguli se marrëveshja nuk kishte lidhje me zotimin e Trump për të “marrë sërish kanali”, por në Panama besojnë se është kështu.

Filiali i Hutchison PPC ka për dekada që drejton portet në Balboa dhe Cristóbal në skajet e Paqësorit dhe Atlantikut të rrugës ujore ndëroqeanike.

Por që nga marrja e detyrës në janar, Trump është ankuar se Kina kontrollon kanalin – një aset strategjik jetik që dikur drejtonin Shtetet e Bashkuara.

Ai ka refuzuar të përjashtojë një pushtim ushtarak të Panamasë për të rimarrë kontrollin, duke shkaktuar protesta të zemëruara dhe një ankesë në Kombet e Bashkuara nga vendi i Amerikës Qendrore.

Që nga viti 1999, kanali drejtohet nga Autoriteti i Kanalit të Panamasë (ACP) - një ent autonom bordi i drejtorëve i të cilit emërohet nga presidenti dhe asambleja kombëtare e Panamasë.

Kanali i gjatë 80 km (50 milje) trajton 5% të tregtisë detare globale dhe 40% të trafikut të kontejnerëve në SHBA.

Pekini e ka mohuar vazhdimisht ndërhyrjen në kanal.

“Kanali drejtohet nga panamezët 100%. Ne jemi një njësi autonome”,- tha për Guardian në janar Ilya Espino de Marotta, zëvendësadministratori i kanalit të Panamasë.

 

josé raul mulino panama donald trump shba

Sondazh

Poll