Aktualitet

Vilë në zonën e VIP-ave, gjermani i akuzuar për skemë mashtrimi mln euro u ekstradua në Korenë e Jugut

Stefan Morgenstern, një shtetas me origjinë gjermane, ishte rehatuar në një prej komplekseve luksoze të vilave në zonën e Lundrës në Tiranë. Ishte fqinj i mjaft politikanëve, biznesmenëve dhe bosëve të punëve të pista që strehohen në vilat luksoze.

26 Shkurt 2025, 21:35 Nga E. D
Vilë në zonën e VIP-ave, gjermani i akuzuar për skemë
foto ilustruese

TIRANË- Ai, kishte ardhur në Tiranë për ti shpëtuar telasheve me drejtësinë në 5 shtete. Në Korenë e Jugut, rrezikon burgim përjetë. Stefan Morgenstern, një shtetas me origjinë gjermane, ishte rehatuar në një prej komplekseve luksoze të vilave në zonën e Lundrës në Tiranë. Ishte fqinj i mjaft politikanëve, biznesmenëve dhe bosëve të punëve të pista që strehohen në vilat luksoze. Për disa kohë, ai jetoi i qetë, i pa shqetësuar nga askush. Të paktën, deri në Gusht të vitit 2023. Teksa priste bashkëshorten e tij polake Anna Morgenstern që vinte nga Dubai, ai u vu në pranga.

“Dubai është qendër e grumbullimit të shumë e perosnave që kryejnë veprimtari të jashtëligjshme në vendet e tyre dhe gjejnë strehim fizik dhe mudnësi financimi, dhe përmes bashkëpunëtorëve rikthejnë dhe paratë e jashtëligjshme e investojnë në vendet e tyre. Këtu nuk bëjnë përjashitm dhe grupet nga Shqipëria” u shpreh ish-prokurori, Shkëlqim Hajdari.

“Ka një garë ndërkombëtare, që shihet e studiohet nga krimi transnacional, aty jemi zonë e lakmueshme, ku dihet që s’ka institucione ligjzbatues të forta” u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.

Koreja e Jugut e kërkonte gjermanin për mashtrim. Kishte zhvatur plot 28 milionë euro. Në 4 shtete të tjera evropiane ku ka kryer të njëjtat mashtrime, i janë sekuestruar asete me vlerë plot 123 milionë euro. Dyshohet se Morgenstern ka filtruar qindra milionë euro në kompani guaskë në parajsat fiskale. Baza kryesore e çiftit ishte Dubai, vendi ku strehohen edhe mjaft bosë të krimit të organizuar shqiptar. Nuk dihet nëse çiftin e solli në Shqipëri ndonjë prej tyre. Por, ajo që bën përshtypje është fakti se vitet e fundit, në vend po futen përherë e më shumë të huaj të ashtuquajtur biznesmenë që vijnë nga ky emirat. Bën përshtypje fakti se Morgenstern, shfaqej si filantropist në Dubai.

“Vitet e fundit është vënë re tendencë ku shumë biznesmenë të kamufluar përmes bamirësie, kanë tentuar të financojnë veprimtari ekstremiste që shpesh fillojnë me ekstremizëm të dhunshëm e përfundojnë me terrorizëm, ka pasur tentative edhe të realizuara për spastrim parash e terrorizëm, se këto janë edhe të lidhura” u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci

“Në vende të caktuara për shkak të mjedisit të krijuar inflitrohen një pjesë tjetër e atyre të ashtuqëuajtur ivnestitorë që interesin se kanë te investimi, njerëz që kanë qëllim kryesor pastrimin e parasë, investimin e parave jo të ligjshme” u shpreh eksperti i ekonomisë, Pano Soko

Në 5 Mars të vitit 2024, Gjykata e Lartë miratoi ekstradimin drejt Koresë për shtetasin gjerman. Ky, ishte akti i fundit i një beteje që Morgenstern e humbi në dy shkallët e tjera të gjyqësorit.

Procesi u bë shkak për një hetim pasuror ndaj bashkëshortes së tij polake Anna Morgenstern. Në Prill të vitit 2024, Prokuroria e Tiranës sekuestroi vilën e çiftit në zonën e VIP-ve dhe dy garazhe. Vlera e deklaruar është 500 mijë euro. Shtetasja polake tashmë është në hetim për pastrim parash.

Në rrjetin e kompanive mashtruese me kriptovalutat, Stefan Morgenstern kishte bashkëpunëtor polakun Roman Zieman. Nuk dihet nëse ky i fundit ka hyrë ndonjëherë në Shqipëri. Në faqen e tij në internet e reklamon veten si pilot të garave të shpejtësisë, mbrojtës të të drejtave të fëmijëve dhe muzikant./Top Channel

stefan morgenstern

Sondazh

Poll