Sport

Derbi i kryeqytetit e lë Tiranën me pasoja, plot 9 titullarë mungojnë ndaj Skënderbeu!

“Janë gati 7-8 lojtarë të cilët janë thirrur nga Akademia”, ka deklaruar trajneri Shkëmbi.

16 Shkurt 2025, 11:00 Nga DOSJA
Derbi i kryeqytetit e lë Tiranën me pasoja, plot 9 titullarë

TIRANE - Tirana dhe Skënderbeu do të përballen ditën e sotme për të luajtur sfidën e vlefshme për javën e 25-të të Superiores. Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të startojë në orën 16:30.

Një sfidë në të cilën dy skuadrat do të luajnë për “pikë jetike”. Megjithatë, për bardheblutë do të jetë tepër e vështirë, sepse në radhët e tyre do të ketë plot 9 mungesa të rëndësishme.

Trajneri i kryeqytetasve Bledi Shkëmbi, në konferencën për shtyp për këtë duel për mbijetesë, pohon se ka afruar lojtarë nga Akademia, pasi grupi nuk është i plotë. “Janë gati 7-8 lojtarë të cilët janë thirrur nga Akademia.

Nuk dua të dëgjoj justifikim dhe skuadra nuk duhet ta kenë diçka të tillë. Është një shans për lojtarët e rinj, ata të cilët kanë patur më pak minuta, të hyjnë dhe të bëjnë e japim maksimumin. Në qoftë se ne do fillojmë të marrim pikët do të jemi më të qetë dhe do të bëjmë më mirë”, u shpreh Shkëmbi.

“Sherri” në derbi ishte ai që “masakroi” Tiranën me kartonë të kuq. Marku, Mici, Gjumsi dhe Kozi do të jenë mungesat për shkak të atyre kartonëve të kuq. Ndërsa Akileu Ndreca dhe Florjan Përgjoni kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Por mungesa ka edhe prej dëmtimeve. Ismajli, Soler dhe Haxhiu, janë dëmtuar para Skënderbeut, duke qenë të tjera mungesa të rëndësishme.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll