Politike

Arrestimi i Veliajt/ Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje protesojnë para kryeministrisë, kërkojnë dorëheqjen e Ramës: Trimi i mirë me shokët në SPAK!  (FOTO)

Lapaj gjatë fjalës së tij në protestë tha se GJKKO dhe SPAK duhet të përkrahen pa rezerva në luftën e tyre kundër korrupsionit dhe përballjes me bandat 34-vjeçare, siç i quajti ai

11 Shkurt 2025, 19:33 Nga E. D
Arrestimi i Veliajt/ Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje protesojnë
pamje nga protesta

TIRANË-  Lëvizja Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt dhe Nisma Thurje e Endri Shabanit pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj kanë zhvilluar një protestë para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqje e kryeministrit Edi Rama. Lapaj gjatë fjalës së tij në protestë tha se GJKKO dhe SPAK duhet të përkrahen pa rezerva në luftën e tyre kundër korrupsionit dhe përballjes me bandat 34-vjeçare, siç i quajti ai.

“Në fakt ky ëshë një reagim i shpejtë për t’u vendosur përballë atij ligjit dhe për t’u reshtuar krah Gjykatës së Posaçme dhe Prokurorisë së Posaçme, të cilët me kurajo të fortë po luftojnë bandat 34-vjeçare. Sigurisht që autokraci, në vende të marra peng, në vende ku administrate kërcënohet me vendin e punës, me bukën e gojës, ku detyrohen njerëzit në administratë të bëjnë nga 5 e nga 10 familjarë jashtë që të votojnë për partinë në pushtet, që partia në pushtet, kapet dhunshëm pas karriges së pushtetit. Por, zgjedhjet janë afër. Kjo nuk është çështje e të votuarit të një partie apo partie tjetër, ata që na ndjekin duhet ta dinë qartë, vetëm këta që janë në pushtet mos votoni”,- tha Lapaj.

Ndërsa Kreu i Nisma Thurje Endri Shabani akuzoi Ramën për shpërdorim të pushtetit duke keqshfrytëzuar për interesa personale, asetet publike.

“Dëgjova Ramën sot dhe tha nuk shkulem nga karrigia. A u ngopët? A u ngopët? 24 vjet që i keni marrë këtij vendi hapësirat publike, i ke marrë plazhet, i ke marrë pasuritë kombëtare, i ke marrë burimet natyrore. Ça të ka ngëlur pa marrë more zotëri? A u ngopët? Nuk iki thotë, nuk shkulem nga vendi”, tha Shabani.

Gjithashtu ata mbanin në duar pankarta kundër Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Ndërkohë aktivistët mbanin në duar pankarta me mbishkrime të ndryshme si “800 mijë euro petalja”, “trimi i mirë me shokët në SPAK” apo “vallja e korrupsionit i ka ditët e numëruara”.

lëvizja shqipëria bëhet nisma thurje

Sondazh

Poll