Bota

Lufta në Ukrainë/ Presidenti amerikan mund të takohet javën e ardhshme me Zelenskyn, Trump zbulon detaje

Shtetet e Bashkuara janë duke bërë përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe Zelensky ka thënë se është e rëndësishme që ata të takohen, para se Trumpi ta takojë presidentin rus, Vladimir Putin.

8 Shkurt 2025, 07:50 Nga E. D
Lufta në Ukrainë/ Presidenti amerikan mund të takohet javën
Volodymyr Zelenskyy dhe Donald Trump

SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të premten se ka gjasa të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, javën e ardhshme. Shtetet e Bashkuara janë duke bërë përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe Zelensky ka thënë se është e rëndësishme që ata të takohen, para se Trumpi ta takojë presidentin rus, Vladimir Putin.

Mbase do të takohem me presidentin Zelensky javën e ardhshme. Mund të jetë Uashingtoni, unë nuk do të shkoj [në Kiev]”, tha Trump të premten.

Trump është zotuar vazhdimisht se do t’i japë fund shpejt luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila këtë muaj hyn në vitin e katërt prej kur Putini e nisi pushtimin e plotë më 24 shkurt 2022. Takimi do të ishte i pari mes tyre që nga fillimi i mandatit të ri të Trumpit më 20 janar. Trump i bëri këto komente një javë para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Munih, e cila do të mbahet nga 14 deri më 16 shkurt, ku lufta më e madhe në Evropë që nga viti 1945 pritet të jetë një nga temat kryesore të diskutimit.

Zelenskyy pritet të marrë pjesë në këtë konferencë vjetore, ashtu si edhe i dërguari i posaçëm i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, i cili këtë javë mohoi raportimet se Shtetet e Bashkuara do ta zbulonin një plan paqeje për Ukrainën në këtë takim. Trump dhe anëtarët e administratës së tij kanë dhënë pak hollësi rreth ndonjë propozimi specifik për përfundimin e luftës, por Kellogg ka thënë së fundmi se të dyja palët do të duhet të "bëjnë disa lëshime".

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters të premten, Zelensky tha se është shumë e rëndësishme që ai dhe Trump të takohen para se Trump të takohet me Putinin, duke theksuar se përndryshe, do të dukej si një dialog për Ukrainën pa Ukrainën. 

"Është ende e rëndësishme që partnerët të diskutojnë çështjet e tyre më parë dhe pastaj të kenë një bisedë me armikun", tha Zelenskyy. 

volodymyr zelenskyy donald trump

Sondazh

Poll