Ekonomi

Sejko: Qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë

Guvernatori tha se ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme në afatmesëm ndërkohë që inflacioni do të kthehet në objektivin 3% gjatë 2025.

5 Shkurt 2025, 16:20 Nga N.F
Sejko: Qëndrimi aktual i politikës monetare është i
Sejko

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka zhvilluar pasditen e sotme një konferencë për mediat ku prezantoi vendimmarrjen mbi politikën monetare. Gjatë fjalës së tij Sejko u shpreh se Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.

Guvernatori tha se ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme në afatmesëm ndërkohë që inflacioni do të kthehet në objektivin 3% gjatë 2025. Sejko u shpreh se Këshilli Mbikëqyrës i BSH vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës një ditore në nivelin 1.75% dhe gjithashtu të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë një ditore në nivelin 3.75%.

“Ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme në afatmesëm ndërkohë që inflacioni do të kthehet në objektivin tonë 3% gjatë 2025. Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se Qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.

Inflacioni i çmimeve të konsumit qëndroi i pandryshuar në nivelin 2% në tre mujorin e katër të 2024. Për 2024 inflacioni rezultoi në nivelin 2.2 % krahasuar me 4.8 % që ishte një vit më parë. Punësimi dhe pagat pritet të vijnë në rritje”, tha Guvernatori.

Ai tha se Banka e Shqipërisë ka vënë re se ka patur një forcim të lehtë të kursit të këmbimit. Sejko theksoi se kursi i këmbimit është si pasojë e kërkesës dhe ofertës. Sipas tij pa bërë analizë të mëtejshme në kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë ndërhyn në tregun valutor sipas kërkesave ligjore dhe rregullatorë.

"Patëm një forcim të lehtë në kursin e këmbimit dhe sigurisht kursi mbiçmohet  ose nënçmohet sipas kërkesës në treg. Ditët  e fundit këtu mund të ketë ndikuar edhe rritja e shpenzimeve të qeverisë shqiptare në tregun valutor. Por sigurisht ka një korrektim. Kursi i këmbimit e kemi theksuar vazhdimisht është si pasojë e kërkesës dhe ofertës. Pa bërë analizë të mëtejshme në kursin e këmbimit unë do thoja që Banka e Shqipërisë ndërhyn në tregun valutor sipas kërkesave ligjore dhe rregullatorë.

Vetëm gjatë vitit 2024 BSH ka tërhequr nga tregu 1 mld euro për efekt të rezervës  valutore dhe gjithashtu për ndërhyrje të kursit të këmbimit për të stabilizuar kursin e këmbimit. Është bërë për objektiv të formës së inflacionit pra stabilitetit të çmimeve. Kursi i këmbimit është i paparashikueshëm dhe BSH  do monitorojë me kujdes tregun," tha ai.

sejko bsh

Sondazh

Poll