Aktualitet

Ndarja nga jeta e Kryepeshkopit Anastas Janullatos/ Mitsotakis dhe Kryepeshkopi i Greqisë vijnë në Tiranë për homazhet dhe varrimin e tij

Mitsotakis tha se Kryepeshkopi Janullatos ishte një hierark dhe një njeri i madh, që kreu një vepër unike në Shqipëri, duke rindërtuar në thelb një kishë të shkatërruar. 

27 Janar 2025, 13:23 Nga r.ll
Ndarja nga jeta e Kryepeshkopit Anastas Janullatos/ Mitsotakis dhe Kryepeshkopi
kryeministri dhe kryepeshkopi i greqise

GREQI- Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis dhe Kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Ieronymos do të jenë të pranishëm në nderimet dhe homazhet që do i bëhen Kryepeshkopit të Shqipërisë Anastas Janullatos. Këtë e deklaruan sot për gazetarët para se të zhvillonin një takim mes tyre në Pallatin Maximos.

Mitsotakis tha se këto janë të vështira për besimtarët ortodoksë në tërësi. Ai tha se Kryepeshkopi Janullatos ishte një hierark dhe një njeri i madh, që kreu një vepër unike në Shqipëri, duke rindërtuar në thelb një kishë të shkatërruar. 

“Këto janë ditë të vështira për Ortodoksinë në tërësi. Mendoj se të gjithë jemi prekur veçanërisht nga humbja e Kryepeshkopit të Shqipërisë. Unë pata fatin ta njoh personalisht. Ai ishte vërtet një hierark i madh dhe një njeri i madh, që kreu një vepër unike në Shqipëri, duke rindërtuar në thelb një kishë të shkatërruar, por në radhë të parë ishte një njeri i Zotit që kujdesej për njerëzit. Prandaj do të kem mundësinë, do të jemi bashkë në kortezhin mortor në Tiranë për ta nderuar ashtu siç e meriton”, theksoi kryeministri grek.

Kryepeshkopi i Greqisë shprehur gjithashtu vlerësimin për mikun e tij të ndjerë të cilin tha se e njeh që në klasën e tretë.  Paraditen e sotme, arkëmorti me trupin e Kryepeshkopit u largua nga Katedralja e Athinës për tu nisur drejt Shqipërisë. 

Trupi i tij mbërrin nesër në Tiranë, ndërsa njoftohet se në pikën kufitare të Kakavijës, pala greke do t'i japë lamtumirën me ceremoni. Arkëmorti do të shoqërohet nga mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit Nikolla Hyka, peshkopi i Krujës Anastas Mamaj  dhe priftërinjtë Fr. Harallamb Gjokën dhe Fr. Spiro Topanxha, të cilët ishin bashkëpunëtorët dhe shokët e tij të ngushtë në ringjalljen e Kishës së Shqipërisë pas disa dekadash diktature.

Pritja e trupit të Kryepeshkopit do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, të martën, datë 28 janar, ora 16:00. Pas pritjes, homazhet do të mbahen brenda Katedrales gjatë kësaj pasditeje dhe gjatë gjithë ditës së nesërme, të mërkurën, datë 29 janar 2025. Ndërkohë njoftohet gjithashtu se varrimi do të kryhet ditën e enjte, datë 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të 25 janarit. Ai ndodhej prej 30 dhjetorit të 2024-ës i shtruar në spital, fillimisht në Tiranë për shkak të një viroze stine. Më pas gjendja e tij u përkeqësua për shkak edhe të një gjakderdhjeje në sistemin e aparatit tretës, për të cilën u dërgua në Athinë më 3 janar.

kyriakos mitsotakis kryepeshkopi i athinës dhe greqise ieronymos

Sondazh

Poll