Bota

Lukashenko fal 15 të burgosur dy ditë përpara zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi

Lukashenko, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, pritet të sigurojë një mandat të ri pesëvjeçar në zgjedhjet e së dielës. Opozita në mërgim thotë se zgjedhjet janë një mashtrim pasi të gjithë kritikët e saj kryesorë janë në burg ose janë detyruar të largohen nga vendi.

24 Janar 2025, 15:23 Nga N.F
Lukashenko fal 15 të burgosur dy ditë përpara zgjedhjeve
Lukashenko

BJELLORUSI- Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko fali 15 të burgosur. Media shtetërore bjelloruse e përshkroi si një veprim humanitar, dy ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të vendit që priten të zgjasin sundimin e tij 31-vjeçar.

Lukashenko, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, pritet të sigurojë një mandat të ri pesëvjeçar në zgjedhjet e së dielës. Opozita në mërgim thotë se zgjedhjet janë një mashtrim pasi të gjithë kritikët e saj kryesorë janë në burg ose janë detyruar të largohen nga vendi.

Media shtetërore raportoi se Lukashenko fali 8 persona të dënuar për veprimtari ekstremiste dhe 7 të dënuar për krime të lidhura me drogën. Mediat nuk i dhanë emrat e personave që u falën. Në fillim të kësaj jave, Lukashenko nënshkroi gjithashtu një dekret për rritjen e pensioneve me një mesatare prej 10%.

Sipas analistëve politikë, Lukashenko shpreson të përfitojë nga zgjedhjet dhe një seri lirimesh të burgosurish për të përmirësuar marrëdhëniet me Perëndimin, i cili ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj Bjellorusisë për shkak të të drejtave të njeriut dhe mbështetjes për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Përpjekjet e tij tani janë më urgjente, thonë analistët, pasi ai mendon mundësinë e bisedimeve të paqes për Ukrainën këtë vit dhe përpiqet të sigurojë përfitime për veten dhe Bjellorusinë nëse lufta përfundon.

Kundër tij kishte pasur mobilizime masive pas zgjedhjeve të mëparshme në 2020, ndërsa qeveritë perëndimore kishin mbështetur akuzat e opozitës se lideri bjellorus falsifikoi rezultatet e zgjedhjeve dhe i vodhi fitoren kandidates së saj, Svetlana Tikhanovskaya. Më pas ai kishte përdorur aparatin e tij të sigurisë për të shtypur protestat, duke arrestuar dhjetëra mijëra njerëz.

Që atëherë, Bashkimi Evropian dhe SHBA kanë refuzuar ta njohin atë si udhëheqësin legjitim të vendit. Ai mohon se zgjedhjet janë manipuluar dhe deklaron se populli zgjodhi ta mbajë atë në pushtet.

bjellorusi lukashenko

Sondazh

Poll