Ekonomi

Pajisja me licencë për subjektet, ERE: Llogaritja e mbështetjes financiare referencë çmimin e ALPEX

Enti Rregullator i Energjisë(ERE) në një vendim të marrë së fundmi ka nënvizuar se cila do të jetë baza për përllogaritjen e kësaj garancie për mbështetje financiare që subjektet duhet të disponojnë. Sipas këtij vendimi referencë do të jetë çmimi mujor i Ditës në Avancë në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).

22 Janar 2025, 13:10 Nga B.Z
Pajisja me licencë për subjektet, ERE: Llogaritja e mbështetjes
Foto ilustruese

TIRANË - Të gjithë subjektet që duan që të pajisjen me licencë tregtimi apo furnizimi duhet që të paraqesin edhe kapacitetin e tyre sa i takon aspektit financiar.

Enti Rregullator i Energjisë(ERE) në një vendim të marrë së fundmi ka nënvizuar se cila do të jetë baza për përllogaritjen e kësaj garancie për mbështetje financiare që subjektet duhet të disponojnë. Sipas këtij vendimi referencë do të jetë çmimi mujor i Ditës në Avancë në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).

“Subjektet që aplikojnë në ERE për t’u pajisur me licencë për veprimtarinë e tregtimit dhe/ose furnizimit të energjisë elektrike duhet të bëjnë përllogaritjet për mbështetjen financiare që i nevojitet për të garantuar ushtrimin e të paktën 1 muaji të veprimtarisë duke u bazuar në çmimin mujor të Ditës në Avancë të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX, që i korrespondon muajit që i paraprin datës së aplikimit” thuhet në pikën një të vendimit që mban datën 16 janar 2025.

Po kështu Enti ka nënvizuar se ky përcaktim i ri do të zbatohet për të gjitha aplikimet që do të paraqiten në ERE për licencim në veprimtarinë e tregtimit dhe të furnizimit të energjisë elektrike nga data 1 shkurt 2025.

Rregullat që lidhen me dhënien, rinovimin, njohjen dhe heqjen e licencave Enti e ka përcaktuar më herët me një dokument që është miratuar në vitin 2016 dhe që është rishikuar më pas disa herë në vitin 2019 dhe 2022. Bëhet fjalë për “Rregulloren për procedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, rinovimin, njohjen dhe heqjen e licencave në sektorin e energjisë elektrike

Në referencë të përcaktimeve të Rregullores, aplikuesit që kërkojnë të pajisen me licencë për ushtrimin e veprimtarisë së tregtimit dhe asaj të furnizimit të energjisë elektrike, në kuadër të dokumentimit të aftësisë financiare për ushtrimin e secilës prej këtyre veprimtarive, duhet të plotësojnë, ndër të tjera disa kërkesa të tilla si paraqitja e bilancit të tri viteve të fundit si dhe dokumente që vërtetojnë aftësinë dhe mbështetjen financiare (financim i vetë aplikuesit, kredi ose garanci bankare, donacion, etj.) për ushtrimin e veprimtarisë, sipas llojit të aplikimit, bazuar në këtë dokumentacion./ Monitor

ere alpex

Sondazh

Poll