Bota

OKB: Më shumë se 900 kamionë me ndihma humanitare hynë sot në Gaza

Armëpushimi në Gaza hyri në fuqi dje edhe pse u vonua me pothuajse tre orë pasi Hamasi tha se kishte një vonesë "teknike" në dorëzimin e emrave të tre pengjeve që do të liroheshin në Izrael të dielën.

20 Janar 2025, 22:48 Nga N.F
OKB: Më shumë se 900 kamionë me ndihma humanitare hynë sot
Foto ilustruese

GAZA- Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) njoftoi se 915 kamionë me ndihma humanitare hynë sot në Rripin e Gazës gjatë ditës së dytë të zbatimit të armëpushimit të rënë dakord mes Izraelit dhe Hamasit.

Agjencia e OKB-së citon informacionin e marrë nga autoritetet izraelite dhe vendet garantuese Katari, Egjipti, SHBA. Armëpushimi në Gaza hyri në fuqi dje edhe pse u vonua me pothuajse tre orë pasi Hamasi tha se kishte një vonesë "teknike" në dorëzimin e emrave të tre pengjeve që do të liroheshin në Izrael të dielën.

Sulmet izraelite pas kohës së fillimit të armëpushimit të planifikuar fillimisht në orën 8:30 të mëngjesit  vranë të paktën 13 palestinezë dhe plagosën 30, sipas zyrtarëve të spitalit dhe mbrojtjes civile.

Hamasi publikoi emrat e tre pengjeve, më shumë se dy orë pasi supozohej se kishte filluar armëpushimi në Gaza. Ndërkohë në mbrëmje tre vajzau liruan.  Të tre gratë u morën peng më 7 tetor 2023, gjatë ofensivës së Hamasit që vrau rreth 1200 njerëz dhe rrëmbyen 251 në Gaza.  Romy Gonen u rrëmbye nga festivali i muzikës Supernova më 7 tetor 2023, ndërsa Emily Damari (gjysmë britanike) dhe Doron Steinbreche, një asistent veterinar, u rrëmbyen nga shtëpitë e tyre në kibutin izraelit Kfar Aza.

Pak pas orës 16:00, një zëdhënës i Hamasit i tha Reuters se procesi i dorëzimit të pengjeve ishte në vazhdim. Megjithatë, disa minuta më vonë IDF raportoi se Kryqi i Kuq informoi ushtrinë se pengjet u ishin dorëzuar atyre dhe se ata po i çonin ato brenda Rripit të Gazës.

Mediat lokale konfirmuan se tre gratë u morën nga një autokolonë e Kryqit të Kuq për t'ia dorëzuar forcave izraelite që do t'i çojnë në kufirin me Gazën ku i presin prindërit e tyre. Prej aty do t'i shoqërojnë për në spital.

Festimet shpërthyen në të gjithë territorin e shkatërruar nga lufta dhe disa palestinezë filluan të kthehen në shtëpitë e tyre, edhe pse vonesa nënvizoi brishtësinë e marrëveshjes. Marrëveshja vë në lëvizje një proces të gjatë dhe të pasigurt që synon përfundimisht t'i japë fund luftës dhe të kthejë gati 100 pengje të rrëmbyer në sulmin e Hamasit të 7 tetorit 2023 që e shkaktoi atë.

gaza okb

Sondazh

Poll