Bota

Kërcënimi i talebanëve në Aganistan: Do të mbyllim të gjitha OJQ-të që punësojnë gra afgane

Njoftimi vjen dy vjet pasi ata u thanë OJQ-ve të pezullojnë punësimin e grave afgane, me pretendimin se ato nuk mbanin shaminë islame siç duhet.

31 Dhjetor 2024, 19:11 Nga r.ll
Kërcënimi i talebanëve në Aganistan: Do të mbyllim
foto ilustruese

AFGANISTAN- Talebanët thonë se do të mbyllin të gjitha grupet joqeveritare kombëtare dhe të huaja në Afganistan që punësojnë gra. Kjo është goditja më e fundit ndaj të drejtave të grave që kur talebanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021. Njoftimi vjen dy vjet pasi ata u thanë OJQ-ve të pezullojnë punësimin e grave afgane, me pretendimin se ato nuk mbanin shaminë islame siç duhet.

Në një letër të publikuar të dielën në "X", Ministria e Ekonomisë paralajmëroi se mosrespektimi i urdhrit të fundit do të çonte në humbjen e licencës së OJQ-ve për të vepruar në Afganistan. Kombet e Bashkuara thanë se hapësira për gratë në Afganistan është zvogëluar në mënyrë dramatike në dy vitet e fundit dhe përsëriti thirrjen e saj për talebanët që të anulojnë kufizimet.

Ministria e Ekonomisë tha se ishte përgjegjëse për regjistrimin, koordinimin, udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e të gjitha aktiviteteve të kryera nga organizatat vendase dhe të huaja. Sipas letrës, qeveria po urdhëronte edhe një herë ndalimin e të gjithë punës së grave në institucionet që nuk kontrollohen nga talebanët.

Në fillim të këtij muaji, Këshilli i Sigurimit i OKB-së dëgjoi se një përqindje në rritje e punonjësve humanitare afgane u penguan të kryenin punën e tyre edhe pse puna e ndihmës mbetet thelbësore. Sipas Tom Fletcher, një zyrtar i lartë i OKB-së, përqindja e organizatave humanitare që raportojnë se stafi i tyre femër apo mashkull u ndalua nga policia morale e talebanëve është rritur gjithashtu.

Talebanët mohojnë se po i ndalojnë agjencitë e ndihmave të kryejnë punën e tyre ose po ndërhyjnë në aktivitetet e tyre. Ata tashmë i kanë ndaluar gratë nga shumë punë dhe shumicën e hapësirave publike , si dhe i kanë përjashtuar ato nga arsimi përtej klasës së gjashtë.

Në një zhvillim tjetër, udhëheqësi i talebanëve Hibatullah Akhundzada ka urdhëruar që ndërtesat të mos kenë dritare që shikojnë në vendet ku një grua mund të ulet ose të qëndrojë në këmbë. Bashkitë dhe autoritetet e tjera duhet të mbikëqyrin ndërtimin e ndërtesave të reja për të shmangur instalimin e dritareve që shohin brenda ose mbi pronat e banimit, shtohet dekreti. Një zëdhënës i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Strehimit nuk ishte menjëherë i disponueshëm për koment mbi udhëzimet e Akhundzada.

afganistan

Sondazh

Poll