Bota

Varësia e fëmijëve nga mediat sociale, Mitsotakis: Do fokusohemi në mbrojtjen e të miturve, pa demonizuar teknologjinë dhe mundësitë që ajo ofron

Ai ju ka bërë thirrje prindërve që të bëhen aleatë në përpjekjen për të hartuar një politikë efektive për të përballuar varësinë dixhitale.

23 Dhjetor 2024, 16:00 Nga r.ll
Varësia e fëmijëve nga mediat sociale, Mitsotakis: Do fokusohemi
kyriakos mitsotakis

GREQI- Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis permes një postimi në Facebbokm ka folur lidhur me varësinë e fëmijëve dhe të rinjve nga platformat sociale. Mitsotakis është shprehur se do të fokusohen në mbrojtjen e të miturve nga varësia dixhitale, por pa demonizuar teknologjinë

Sipas kreut të qeverisë greke në 30 dhjetor, në një aktivitet të veçantë me të gjithë ministrat përkatës, ai do të prezantojë planin gjithëpërfshirës për të trajtuar këtë problem real. Mitsotakis thotë se po përpiqen të ndërtojnë një mjedis që do t'i mbrojë fëmijët nga përdorimi i tepërt apo abuzimi i teknologjisë, pa i privuar ata nga mundësitë që ajo ofron. 

"Kalimi në çështjen vendimtare të varësisë së fëmijëve dhe të rinjve nga mediat sociale. Ne nuk kemi nevojë për dokumentacion të veçantë shkencor për ta vërtetuar këtë. Ka një problem dhe duhet të marrim masa të menjëhershme. Si qeveri ne kemi marrë iniciativën që fillimisht të hapim debatin publik për këtë çështje, duke u bërë thirrje prindërve që të bëhen aleatë në përpjekjen për të hartuar një politikë efektive për të përballuar varësinë dixhitale. Duam të sensibilizojmë të gjithë, forcat politike, komunitetin shkencor e arsimor, prindërit dhe fëmijët. Pa demonizuar teknologjinë, ne fokusohemi në mbrojtjen e të miturve nga varësia dixhitale.

Më 30 dhjetor, në një aktivitet të veçantë me të gjithë ministrat përkatës, do të prezantojmë planin tonë gjithëpërfshirës për të trajtuar një problem real. Në fazën e parë, do të kemi një platformë të quajtur parco.gov.gr, me të gjitha udhëzimet sesi prindi mund të aktivizojë cilësimet në celularin e fëmijës që do ta mbrojnë atë si nga përdorimi i zgjatur, ashtu edhe nga shikimi i përmbajtjeve problematike, ofenduese apo të rrezikshme për të miturin. Brenda tremujorit të parë të vitit 2025 do të vazhdojmë edhe me zbatimin e aplikacionit dixhital “Kids Wallet” i cili do të lehtësojë më tej prindërit që të kufizojnë keqpërdorimin e celularit nga fëmijët e tyre, si dhe ekspozimin e tyre ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme apo që shkaktojnë varësi. Në të njëjtën kohë, do të zhvillohet një fushatë informuese për të ndihmuar prindërit të përdorin këto mjete.

Ne nuk jemi naivë. Ne e dimë që të vetëm si shtet nuk mund ta zgjidhim problemin. Prandaj synimi ynë është të marrim drejtimin në nivel evropian. Ne do të kërkojmë të punojmë me ofruesit për të harmonizuar praktikën dhe për të formuar një kornizë të re që do të mbrojë fëmijët. Një kornizë që do të ruajë një sërë të drejtash të reja dixhitale të fëmijëve tanë dhe do të detyrojë platformat dhe kompanitë e teknologjisë t'i respektojnë ato dhe të zhvillojnë aplikacione përkatëse të mbrojtjes. Ne nuk synojmë ndalime të ashpra, drakoniane apo horizontale që nuk mund të zbatohen. Ajo që duam është të ndërtojmë një mjedis që do t'i mbrojë fëmijët nga përdorimi i tepërt dhe/ose abuzimi i teknologjisë, pa i privuar ata nga mundësitë që ajo ofron. Çelësi është në ekuilibër.", thuhet ndër të tjera në postimin e Mitsotakis.

kyriakos mitsotakis

Sondazh

Poll