Bota

Paralajmërimi i kurdëve të Sirisë: Kaosi nga përmbysja e Al Assad po i hap rrugën rikthimit të ISIS

Komandanti kryesor kurd në Siri thotë se militantët e ISIS-it kanë konfiskuar disa armë dhe municione të lëna pas nga trupat e regjimit sirian.

20 Dhjetor 2024, 08:46 Nga r.ll
Paralajmërimi i kurdëve të Sirisë: Kaosi nga përmbysja
foto ilustruese

SIRI- Kërcënimet e vjetra po shfaqen në Sirinë që po përpiqet të rindërtohet. Kaosi që nga përmbysja e Bashar al-Assad-it po "i hap rrugën" të ashtuquajturit Shteti Islamik (ISIS) për t'u rikthyer, sipas një komandanti kryesor kurd që ndihmoi në mposhtjen e grupit xhihadist në Siri në vitin 2019. Ai thotë se rikthimi i tyre tashmë ka filluar.

"Aktiviteti i Daesh [ISIS] është rritur ndjeshëm dhe rreziku i një ringjalljeje ishte dyfishuar", sipas gjeneralit Mazloum Abdi, komandant i Forcave Demokratike Siriane (SDF), një aleancë e milicisë kryesisht kurde e mbështetur nga SHBA. "Ata tani kanë më shumë aftësi dhe më shumë mundësi”.

Ai thotë se militantët e ISIS-it kanë konfiskuar disa armë dhe municione të lëna pas nga trupat e regjimit sirian, sipas raporteve të inteligjencës. Abdi gjithashtu paralajmëron se ekziston "një kërcënim real" se militantët do të përpiqen të hyjnë në burgjet e SDF-së këtu në veri-lindje të Sirisë, të cilat mbajnë rreth 10,000 nga njerëzit e tyre. SDF po mban gjithashtu rreth 50,000 anëtarë të familjeve të tyre në kampe.

Rreziku i një ringjalljeje të ISIS-it është rritur, thotë ai për BBC, sepse SDF po përballet me sulme në rritje nga Turqia fqinje, dhe fraksionet rebele që ajo mbështet, dhe duhet të devijojë disa luftëtarë në atë betejë. 

Ankaraja e sheh SDF-në si një zgjatim të separatistëve kurdë të ndaluar të PKK-së, të cilët kanë zhvilluar një kryengritje për dekada dhe janë klasifikuar si terroristë nga SHBA-ja dhe BE-ja. Turqia ka kërkuar prej kohësh një territor 30 km në rajonin kurd në Sirinë verilindore. Që nga rënia e Asadit, përpjekjet për ta siguruar atë zonë janë rritur. 

“Kërcënimi numër një është tani Turqia, sepse sulmet e saj ajrore po vrasin forcat tona”, tha gjenerali Abdi. "Këto sulme duhet të ndalen, sepse po na shpërqendrojnë nga fokusimi në sigurinë e qendrave të paraburgimit," tha ai, "ndonëse ne gjithmonë do të bëjmë më të mirën."

Brenda Al-Sina, burgu më i madh për të burgosurit e ISIS, i cili ndodhet në qytetin e Al-Hasakah mban rreth 5,000 burra, luftëtarë të dyshuar ose mbështetës të ISIS. Çdo derë e qelisë është e mbyllur dhe e siguruar me tre bulona. Korridoret ndahen në seksione me porta të rënda hekuri. Rojet janë të maskuar, me shkopinj në duar. 

Burimet kurde të sigurisë thonë se shumica e të burgosurve në Al-Sina ishin me ISIS deri në qëndrimin e tij të fundit dhe ishin thellësisht të përkushtuar ndaj ideologjisë së grupit terrorist.

Një nga të burgosurit një 28-vjeçar ka folur për BBC, ku tregoi se u largua nga vendlindja e tij nga Australia në moshën 19-vjeçare, për të vizituar gjyshen e tij në Qipro, por më pas përfundoi në Aleppo. Ai pretendoi se kishte qenë duke punuar me një OJQ në qytetin e Raqqa kur ISIS mori kontrollin.

Ai tha se nuk kishte qenë i përfshirë në ndonjë vrasje, ndërsa i pyetur a e mbështet atë që po bën ISIS, ai tha: "Nuk dua t'i përgjigjem kësaj pyetjeje sepse mund të ketë ndikim në rastin tim."  Ai shpreson të kthehet në Australi një ditë, megjithëse nuk është i sigurt nëse do të jetë i mirëpritur.

Rreth tre orë me makinë nga Al-Sina, pas telit të kampit Roj, shumë besojnë se liria po vjen. Ky kamp është shtëpia e pothuajse 3,000 grave dhe fëmijëve. Ata kurrë nuk janë gjykuar apo dënuar, por janë familje të luftëtarëve dhe mbështetësve të ISIS. Të gjithë thanë se avokatët e tyre u kishin thënë të mos flisnin.

Një 47-vjeçare, Saida Temirbulatova, ish-inspektore tatimore nga Dagestan, ishte e vetmja që pranoi të fliste dhe u shpreh se shpreson që përmbysja e Asadit do të thotë liri për të dhe djalin e saj nëntë vjeç.


"Udhëheqësi i ri Ahmed al-Sharaa [kreu i grupit islamik Hayat Tahrir al-Sham] bëri një fjalim, duke thënë se ai do t'i japë të gjithëve lirinë e tyre. Ne duam gjithashtu lirinë. Ne duam të largohemi, ka shumë të ngjarë për në Rusi. Është i vetmi vend që do të na marrë”.

Disa civilë kurdë në qytetin Al-Hasakah po paketojnë gjithashtu valixhet, nga frika e një rikthimi nga xhihadistët dhe një sulmi tjetër tokësor nga Turqia në Sirinë veri-lindore. Ky do të ishte pushtimi i katërt nga forcat turke, i cili dyshohet se mund të ndodhë shpejt.

isis renia e regjimit ne siri

Sondazh

Poll