Aktualitet

KPA rrëzon vendimin e KPK dhe rikthen në detyrë gjyqtaren Semiramis Hoxholli

Kolegji konstatoi se KPK kishte kaluar kompetencat e tij, pasi Hoxholli ishte e sapoemëruar dhe sipas ligjit, nuk duhej të ishte subjekt i procesit të vettingut në këtë fazë.

21 Nëntor 2024, 08:12 Nga r.ll
KPA rrëzon vendimin e KPK dhe rikthen në detyrë gjyqtaren
semiramies hoxholli

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rikthyer në detyrë gjyqtaren e Gjykatës Administrative të Tiranës Semiramis Hoxholli, duke rrëzuar kështu vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Kolegji konstatoi se KPK kishte kaluar kompetencat e tij, pasi Hoxholli ishte e sapoemëruar dhe sipas ligjit, nuk duhej të ishte subjekt i procesit të vettingut në këtë fazë.

KPA njoftoi mbrëmjen e djeshme se trupi gjykues i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Mimoza Tasi dhe anëtarë Sokol Çomo, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz, pasi shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin e Hoxhollit, vendosi me 3 vota pro dhe dy  kundër (shumicë votash) të prishë vendimarrjen e Komisionit dhe të pushojë gjykimin e çështjes.

Semiramis Hoxholli përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2016. Pas një periudhe si gjyqtare stazhiere në Gjykatën e Tiranës, ajo u emërua në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ku e ushtroi funksionin deri në momentin e shkarkimit nga detyra.

NJOFTIMI I VENDIMIT NGA KPA: 

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 83/2021, datë 24.12.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Semiramis Hoxholli kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 452, datë 24.09.2021.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 4, pika 6 e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe në nenin 50, germa "d" të ligjit 49/2012 "Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative", i ndryshuar, me shumicë votash, vendosi:

– Prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 452, datë 24.09.2021 (korrigjuar me vendimin 452/1, datë 02.12.2021) , që i përket subjektit të rivlerësimit Semiramis Hoxholli dhe pushimin e gjykimit te çështjes.

– Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 20.11.2024.

semiramis hoxholli kpa kpk

Sondazh

Poll