Bota

Vizita e parë që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë/ Vuçiç konfirmon se do të shkojë në Moskë

Deklarata është bërë pas ftesës së presidentit rus, Vladimir Putin, për të marrë pjesë në festimet që shënojnë 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin në Luftën e Dytë Botërore. 

19 Nëntor 2024, 21:46 Nga E. D
Vizita e parë që prej fillimit të konfliktit në
Aleksandar Vuçiç

SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar se do të vizitojë Moskën në muajin maj të vitit të ardhshëm, duke shënuar vizitën e parë në Rusi që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë. Deklarata është bërë pas ftesës së presidentit rus, Vladimir Putin, për të marrë pjesë në festimet që shënojnë 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin në Luftën e Dytë Botërore. 

“Nëse nuk ndodh fundi i botës ndonëse nuk jam i sigurt, por shpresoj që kjo të mos ndodhë do të ishte nder i madh për mua të jem në Sheshin e Kuq për këtë përvjetor historik”, tha Vuçiç. 

Gjithashtu Vuçiç ka theksuar se për këtë çështje ka diskutuar edhe me kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico, i cili gjithashtu ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij. Ndërkohë, Kremlini ka njoftuar se më 9 maj të vitit të ardhshëm synon të organizojë festimin më të madh në histori, duke promovuar vlerat patriotike dhe ushtarake.

Kjo vizitë e paralajmëruar vjen në një kohë kur Serbia përballet me kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian për politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë. Në Raportin e Progresit për Serbinë, BE-ja ka vënë në dukje mungesën e harmonizimit të politikave të Serbisë me ato të bllokut, veçanërisht përballë agresionit rus në Ukrainë. Raporti ka ngritur shqetësime për bashkëpunimin e shtuar midis Beogradit dhe Moskës, ndërkohë që Serbia refuzon të vendosë sanksione kundër Rusisë dhe vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Kremlinin.

Serbia i ka nisur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që në vitin 2014, por marrëdhëniet e saj të veçanta me Rusinë kanë ngritur pikëpyetje për përkushtimin e saj ndaj integrimit evropian. Refuzimi për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së dhe kultivimi i lidhjeve të forta me Moskën e kanë pozicionuar Serbinë në një situatë të ndërlikuar diplomatike, duke sfiduar përpjekjet e saj për t’u afruar me Perëndimin. 

aleksandar vuçiç vladimir putin

Sondazh

Poll