Bota

Pas afatit 30-ditor, Departamenti i Shtetit jep vlerësimin: Izraeli nuk po shkel ligjin amerikan për ndihmën humanitare për Gazën

OKB-ja dhe grupet e ndihmës kanë dhënë alarmin për kushtet e vështira për aksesin e palestinezëve në ushqim, kujdes mjekësor dhe strehim.

13 Nëntor 2024, 09:06 Nga ZH.LL
Pas afatit 30-ditor, Departamenti i Shtetit jep vlerësimin: Izraeli nuk po
Foto ilustruese

SHBA- Departamenti i Shtetit tha të martën se Izraeli nuk është në kundërshtim me ligjin e SHBA-së në lidhje me dhënien dhe aksesin e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, pavarësisht kundërshtimeve nga grupet e ndihmës dhe Kombet e Bashkuara.

OKB-ja dhe grupet e ndihmës kanë dhënë alarmin për kushtet e vështira për aksesin e palestinezëve në ushqim, kujdes mjekësor dhe strehim.

Vlerësimi i SHBA-së erdhi në fund të një afati kohor 30-ditor ku Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin lëshuan një paralajmërim për qeverinë izraelite se duheshin ndërmarrë hapa konkretë për të rritur dërgesat e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës ose rrezikon duke shkaktuar bllokimin e dërgesave të armëve amerikane sipas ligjit federal.

“Ne, në këtë kohë, nuk kemi bërë një vlerësim se izraelitët janë në shkelje të ligjit të SHBA-së”, tha të martën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

“Izraeli ka ndërmarrë një sërë hapash për të adresuar masat e përcaktuara në letrën që sekretarët Blinken dhe Austin dërguan më herët në tetor. Ne vazhdojmë të jemi në diskutim me partnerët tanë në Izrael për këto hapa që ata kanë ndërmarrë, të cilat ata i kanë marrë si rezultat i ndërhyrjes së SHBA-së, si dhe hapat shtesë që mendojmë se duhet të ndërmerren ende.”

Vlerësimi i SHBA erdhi pasi tetë organizata ndërkombëtare të ndihmës thanë se Izraeli nuk kishte përmbushur kriteret e përcaktuara nga Blinken dhe Austin. Ata thanë se Izraeli kishte ndërmarrë veprime "që e përkeqësuan në mënyrë dramatike situatën në terren, veçanërisht në Gazën veriore", raportoi Associated Press.

gaza izrael shba afati 30 ditor

Sondazh

Poll