Ekonomi

Rriten 90% fondet e programit për infrastrukturën e kullimit

Në total vlera projektit për 3 vitet e ardhshme (2024-2026) është rritur 90%, duke arritur në 1,7 mld lekë nga 935 mln lekë që parashikoheshin fondet në vendimin e mëparshëm të Ministrisë së Bujqësisë.

17 Shtator 2024, 13:55 Nga M.B
Rriten 90% fondet e programit për infrastrukturën e kullimit
Foto ilustruese

TIRANA- 29 bashki në vend do të përfitojnë rreth 17 mln euro fonde për financimin e projekteve të programit “Për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes” për vitet 2024-2026. Në total vlera projektit për 3 vitet e ardhshme (2024-2026) është rritur 90%, duke arritur në 1,7 mld lekë nga 935 mln lekë që parashikoheshin fondet në vendimin e mëparshëm të Ministrisë së Bujqësisë.

Ndryshimet në vendimin “Për shpërndarjen dhe detajimin e fondit për financimin e projekteve të bashkive nga programi “menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes” është botuar në Fletoren Zyrtare. Krahasuar ne vendimin e mëparshëm janë shtuar si përfituese të fondeve edhe 12 bashki të tjera, si: Elbasan, Roskovec, Himarë, Librazhd, Pogradec, Përrenjas, Bulqizë, Kukës, Libohovë, Memaliaj, Delvinë dhe Poliçan.

Aktualisht përfituese të fondeve për financimin e projekteve nga programi “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes” janë 29 bashki në vend. Në financimin e projekteve për kullimin dhe ujitjen është shtuar bashkia e Elbasanit. Rreth 190 mln lekë për periudhën 2024-2026, do të shkojnë për financimin e projektit “Rehabilitimi i pellgut ujëmbledhës përroit të Zaranikës dhe Rikonstruksion i digës dhe shtratit te përroit të Zaranikës (faza I, Rikonstruksioni i shtratit KM-0 + 440 – KM -3+100 )”.

Bashkia Roskovec gjithashtu do të jetë përfituese e fondit për 178,7 mln lekëve për zbatimin e projektit “Rritja e sigurisë së digës dhe përmirësimi i aftësisë ujëmbledhëse të rezervuarit të Kurjanit”. Bashkia Himarë do të financohet rreth 110 mln lekë për zbatimin e dy projekteve, si: “Rehabilitimi i kanalit ujitës i tokave bujqësore Sasaj-Lukovë-Shën Vasil” dhe “Rehabilitimi i kanalit ujitës të tokave bujqësore të fshatit Kuç”.

Në total financimi i projektit për vitin 2024 është rritur 76%, duke arritur në vlerën e 600 mln lekëve. Rritje të fondeve për zhvillimin e projekteve të kullimit dhe ujitjes janë miratuar edhe për vitin 2025 dhe 2026. Për vitin 2025 rritja e fondeve është 50%, duke arritur në vlerën e 600 mln lekëve. Ndërsa financimi për vitin 2026 do të jenë në vlerën e 581,4 mln lekëve. Vlera e financimit është rritur 66%./ Monitor

bujqesia

Sondazh

Poll