Bota

Pas krizës së madhe Trepça fillon të ringjallet, eksporton mbi 237 tonelata koncentrat të plumbit

E kjo sipas tyre me qëllim që të rrisin prodhimin dhe të mbështesin operimet në dy njësitë biznesore të minierave me flotacion Trepça – Stan Tërg dhe Kishnicë – Artanë.

6 Shtator 2024, 14:51 Nga M.B
Pas krizës së madhe Trepça fillon të ringjallet, eksporton
Foto ilustruese

KOSOVA- Ndërmarrja “Trepça” ditë më parë ka bërë të ditur se si përgjigje ndaj situatës afariste, menaxhmenti po merr një sërë vendimesh për transferimin dhe sistemin e përkohshëm të punonjësve. E kjo sipas tyre me qëllim që të rrisin prodhimin dhe të mbështesin operimet në dy njësitë biznesore të minierave me flotacion Trepça – Stan Tërg dhe Kishnicë – Artanë. Kjo ndërmarrje ka njoftuar se të mërkurën ka eksportuar koncentratin e plumbit ‘K/Pb’ nga Njësia Biznesore Minierat me Flotacion Trepça në Stan Tërg.

“Më datë 4.9.24 Ndërmarrja Trepça Sh.A. ka eksportuar koncentratin e plumbit ‘K/Pb’ nga Njësia Biznesore Minierat me Flotacion Trepça në Stan Tërg. Sasia e eksportuar e koncentratit të plumbit është 237.50T”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, ditë më parë u njoftuar se deri tani gjashtë nëpunësve të menaxhmentit u janë caktuar detyra në njësitë biznesore të Ndërmarrjes Trepça, ndërsa janë bërë rreth 80 sistemime në ecurinë e prodhimit në njësinë Trepça – Stan Tërg.

“Deri më tani, gjashtë nëpunësve të menaxhmentit u janë caktuar detyra në njësitë biznesore të Ndërmarrjes Trepça, ndërsa janë bërë rreth 80 sistemime në ecurinë e prodhimit në njësinë Trepça – Stan Tërg, punëtor këta të cilët kanë lëvizur ndër vite nga Miniera në sipërfaqe. Për më tepër, 46 minatorëve të rinj do t’u vazhdohen kontratat e punës, në saje të performancës së tyre dhe kërkesës për prodhim të shtuar. Trepça po përgatit gjithashtu trajnimin dhe certifikimin e 19 minandezësve, duke u mbështetur në udhëzimin e ri që ka nxjerrë Ministria e Punëve të Brendshme”.

Lidhur me prodhimin në këtë ndërmarrje kishte shkruar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Punëtorët e Trepçës në minierë e në flotacion janë duke punuar me përkushtim e kapacitet të shtuar për të rritur prodhimin e ashtu të hyrat e ndërmarrjes. Në anën tjetër, bordi dhe menaxhmenti i lartë i ndërmarrjes janë duke punuar me zell e me vigjilencë për forcim të kontrollit të brendshëm e rritje të disiplinës”.

Javën e kaluar, menaxhmenti i ndërmarrjes ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme afariste në dy njësi kryesore, duke mobilizuar të gjitha kapacitetet për stabilizimin dhe rimëkëmbjen e Trepçës. Ndër sfidat më të mëdha ka qenë numri i lartë i punonjësve në role mbështetëse në raport me të angazhuarit drejtpërdrejt në prodhim.

Trepça është përballur sivjet me vështirësi financiare dhe operative, ndërkohë që rrezikohet nga përmbarimi i borxheve të trashëguara në vlerë prej mbi 3 milionë euro. Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mbi 8 milionë euro për ta mbështetur ndërmarrjen gjatë vitit 2024. Kurse, rreth 30 milionë euro janë ndarë për ndërmarrjen publike Trepça nga Qeveria e Kosovës në katër vitet e fundit.

Për shkakun e mosekzekutimit apo të vonesës së pagave, minatorët patën hyrë në grevë për disa ditë edhe gjatë qershorit dhe prillit të sivjetmë. E në tetorin e vitit të shkuar 10 ditë kanë qëndruar mbyllur në ambientet e “Trepçës”.

Greva e vitit të shkuar është ndaluar pas një marrëveshjeje të arritur me disa deputetë të partisë në pushtet, në të cilën parashihej që pagat e minatorëve të mos vonoheshin më shumë se më datën 10 të çdo muaji./ Monitor

kosova

Sondazh

Poll