Ekonomi

Interesat e depozitave u rritën në gjysmën e parë të vitit

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për muajin qershor norma mesatare e interesit të depozitave të reja me afat në lekë ishte 2.02%. Megjithëse pësoi një rënie të lehtë krahasuar me nivelin prej 2.09% të muajit qershor, interesi i depozitave është rritur ndjeshëm që nga fundi i vitit 2023, kur shënonte nivelin 1.64%.

29 Gusht 2024, 13:50 Nga I.A
Interesat e depozitave u rritën në gjysmën e parë të
Foto Ilustruese

TIRANË- Normat e interesit të depozitave bankare janë rritur në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për muajin qershor norma mesatare e interesit të depozitave të reja me afat në lekë ishte 2.02%. Megjithëse pësoi një rënie të lehtë krahasuar me nivelin prej 2.09% të muajit qershor, interesi i depozitave është rritur ndjeshëm që nga fundi i vitit 2023, kur shënonte nivelin 1.64%.

Interesi mesatar i depozitave është rritur me më shumë se gjysmë pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Në qershor 2023, norma mesatare e interesit për depozitat e reja kishte qenë 1.46%. Rritja e normës së interesit për depozitat e reja në muajt e fundit ka shkaktuar është përcjellë edhe në rritjen graduale të normës mesatare të interesit për depozitat gjendje.

Norma mesatare e interesit për depozitat me afat në lekë të individëve në qershor arriti në 2.39%, nga 1.08% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë e frenoi rritjen e normës bazë të interesit. Gjatë vitit 2023 u aplikua vetëm një rritje e kësaj norme, në muajin nëntor.

Megjithatë, interesat e depozitave kanë vazhduar të rriten edhe në gjysmën e parë të këtij viti, në një masë më të madhe se rritja e fundit e normës bazë, në nëntor 2023. Rritja e normave të interesit të depozitave, pavarësisht mosrritjes së normës bazë të interesit, mund të shpjegohet kryesisht me një kërkesë në rritje për monedhën vendas nga sektori bankar. Në pjesën e parë të këtij viti po vërehet një rritje me ritme shumë të shpejta të kredisë në monedhën vendase.

Për 6-mujorin 2024, kredia e re në lekë u rrit me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Normat më të ulëta të interesit po bëjnë që kredia në lekë të jetë gjithnjë e më e preferuar nga huamarrësit. Nga ana tjetër, rritja e depozitave në lekë në përgjithësi vitet e fundit ka qenë e ngadaltë, duke reflektuar edhe një efekt të fortë shtrëngues të politikës fiskale. Kjo ka shtuar nevojën e sektorit bankar për fonde në monedhën vendase dhe ka rritur normat e interesit të depozitave në lekë.

Normat e interesit për depozitat në monedhën euro ngelen ndjeshëm më të ulëta, por edhe ato me një tendencë në rritje. Për muajin qershor, norma mesatare e interesit për depozitat e reja në euro ishte 1.53%, nga 0.74% që ishte një vit më parë.

Normat e interesit të depozitave në euro kanë ndjekur vetëm pjesërisht kursin agresiv të rritjes së interesave nga Banka Qendrore Europiane në dy vitet e fundit, ndërsa ulja e normave të interesit në qershor i ka zbehur edhe më tej gjasat për rritje të mëtejshme të përfitimit nga depozitat në euro.

Në rastin e euros, konkurrenca e produkteve të tjera financiare është më e dobët, sepse individët nuk kanë shumë alternativa investimi financiar me rrezik të ulët, siç ndodh me lekun. Gjithashtu, ndërmjetësimi në euro për bankat ka kosto më të lartë, sepse Banka e Shqipërisë aplikon normë remunerimi zero për rezervat e detyrueshme në valutë, përveçse kërkon edhe nivele më të larta të këtyre rezervave. Për këto arsye, normat e interesit për depozitat në euro ngelen më të ulëta krahasuar me ato në lekë./Monitor.al

banka e shqipërisë

Sondazh

Poll