Sport

Sokol Cikalleshi tërhiqet nga Kombëtarja, FSHF e falënderon për kontributin kuqezi!

Cikalleshi është një nga futbollistët me më shumë prezenca në Kombëtare teksa numëron 60 ndeshje me fanelën kuqezi, si edhe 13 gola të shënuar.

27 Gusht 2024, 15:10 Nga DOSJA
Sokol Cikalleshi tërhiqet nga Kombëtarja, FSHF e falënderon

TIRANE - Sulmuesi kuqezi, Sokol Cikalleshi vendosi pak kohë më parë të tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare pas një karriere të gjatë me Shqipërinë dhe një kontribut të madh për fanelën kuqezi ndër vite.

Cikalleshi është një nga futbollistët me më shumë prezenca në Kombëtare teksa numëron 60 ndeshje me fanelën kuqezi, si edhe 13 gola të shënuar.

Gjithashtu, sulmuesi kavajas ka qenë pjesë e Shqipërisë edhe në Europianin historik “Francë 2016”, pjesëmarrja e parë e kuqezinjve në finalet e një turneu madhor.

Ai debutoi me fanelën kuqezi në miqësoren Shqipëri-Rumani, të luajtur më 31 maj 2014, ndërsa paraqitja e tij e fundit me Kombëtaren ishte në miqësoren Suedi-Shqipëri të 25 marsit 2024,e luajtur në Stokholm.

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron ta falënderojë dhe t’i shprehë mirënjohjen për kontributin e dhënë dhe djersën e derdhur në fushën e lojës me fanelën kuqezi.

Një kontribut i madh dhe i jashtëzakonshëm i Sokol Cikalleshit, i cili ka qenë pjesë e rezultateve dhe arritjeve historike të Kombëtares shqiptare.

Sakaq, FSHF i uron suksese në karrierën e tij me klubin dhe sa më shumë mbarësi në të ardhmen.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll