Bota

Vuçiç pret Dodikun, diskutojnë për çështje globale dhe rajonale

Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç.

22 Gusht 2024, 16:32 Nga E. D
Vuçiç pret Dodikun, diskutojnë për çështje
Millorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiç

SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, priti të enjten në Beograd presidentin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

“Një bisedë shumë e mirë me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Takimi u dominua nga temat ekonomike, por bëmë edhe një analizë të përbashkët të çështjeve globale dhe rajonale”, shkroi Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram.

Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç.

“Një temë ishte edhe lufta kundër migrimit të paligjshëm. Presidenti Dodik dhe unë i kushtuam vëmendje të veçantë lidhjes infrastrukturore, rrugore, hekurudhore dhe energjetike midis Serbisë dhe Republikës Sërpska”, shtoi Vuçiç.

Takimi midis dy zyrtarëve vjen një ditë pasi drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në SHBA (CIA), William Burns, qëndroi në Beograd. Paraprakisht, ai vizitoi edhe Sarajevën. Askush prej zyrtarëve në Serbi dhe në SHBA nuk e konfirmoi e as mohoi vizitën e Burnsit, ndërsa nga CIA i thanë Radios Evropa e Lirë se nuk e komentojnë orarin e udhëtimeve të drejtorit.  Në Sarajevë, Burns u takua me kolegë nga komuniteti i inteligjencës, me anëtarë të Presidencës, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës./REL

aleksandar vucic millorad dodik ivica daçiç

Sondazh

Poll