Aktualitet

"Korrierët e krimit", BIRN: Rruga e parave të pista drejt kufijve të Shqipërisë

Grupet shqiptare të krimit të organizuar përdorin njerëz të zakonshëm dhe agjencitë e transportit të pasagjerëve për të kontrabanduar fitimet e tyre të paligjshme në Shqipëri – shpeshherë me sukses për shkak të mungesës së hetimeve proaktive dhe bashkëpunimit me punonjësit e policisë.

31 Korrik 2024, 22:06 Nga Anila Hoxha
"Korrierët e krimit", BIRN: Rruga e parave të pista drejt
Foto ilustruese

TIRANA-  Në vitin 2022, Livia*, një studente shqiptare në Francë zbriti në aeroportin e Rinasit me 30 mijë franga zvicerane të fshehura në një beze të lidhur rreth belit. Ajo kujton se ishte në ankth, por arriti të kalonte pa asnjë problem pranë punonjësve të sigurisë së aeroportit. Në dy udhëtime të tjera drejt Tiranës, ajo kontrabandoi dërgesa me vlerë totale prej 40 mijë frangash. Livia nuk duket një korriere tipike e parave të dyshimta; ajo ngjan me qindra studentë të tjerë të universiteteve europiane. Por kur u pyet nga BIRN se çfarë dinte për origjinën e parave, ajo u përgjigj me ftohtësi se nuk i interesonte të dinte se nga buronin ato.

“Unë fitova një pagesë të mirë, që më ndihmoi të shlyej shpenzimet e mia,” tha ajo në një nga kafenetë e shumta të Tiranës.

“Ata zgjedhin persona që nuk dyshohen. Ose nuk kanë rekorde kriminale, ose kanë nevojë për para, por prapë duhet të jenë të pastër, pa probleme,” shtoi ajo.

Livia është vetëm një nga korrierët e shumtë të sasive të pallogaritshme të parave cash me prejardhje të dyshimtë, që depërtojnë në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë pa u diktuar. Origjina kryesore e tyre mendohet se buron nga grupet shqiptare të krimit të organizuar, që gjatë dekadës së fundit e kanë shtrirë aktivitetin në vendet e Bashkimit Europian, Britaninë e Madhe, Amerikën Jugore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndonëse gjithnjë e më shumë transnacionale, grupet shqiptare vazhdojnë t'i pastrojnë fitimet e tyre në Shqipëri. Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes intervistave dhe dosjeve gjyqësore tregojnë se strukturat e krimit në Perëndim shfrytëzojnë njerëz të zakonshëm dhe mekanizma më të sofistikuar për të kontrabanduar drejt kufijve shqiptarë paratë e fituara në aktivitete të paligjshme.

Forma më e përhapur është përmes agjencive të transportit rrugor, të licensuara në Shqipëri ose në vende të tjera si Britania e Madhe, Italia apo Franca. Sipas hetimeve të analizuara nga BIRN, këto agjenci e mbështesin aktivitetin e tyre te strukturat e dobëta të kontrollit në pikat e kalimit kufitar si dhe te korruptimi i punonjësve të sigurisë.

Ndërkohë, korrierët e vlerave të vogla hetohen kryesisht për veprën e “mosdeklarimit të të hollave në kufi” – një kundravajtje penale që shpesh dënohet me gjobë ose falet si në rastin e ligjit të amnistisë penale të vitit 2024. Sipas zyrtarëve të drejtësisë në Shqipëri, kjo rrjedhë e parave të pista lehtësohet edhe nga mungesa e hetimeve proaktive dhe e bashkëpunimit në kohë reale me agjencitë e huaja ligjzbatuese. Gjyqtari Erion Bani i Gjykatës së Posaçme i tha BIRN se për të zbuluar se sa të pafajshme janë dërgesat e padeklaruara në kufi nevojitet që hetimet të orientohen drejt pastrimit të parave.

“Nëse dikush fsheh një sasi të hollash me qëllim përvetësimin për vete apo për të tjerë duke ndihmuar në fshehjen e tyre, duke ditur që këto të ardhura janë nga veprimtaria kriminale, mban përgjegjësi, edhe nëse sasia e të hollave është më e vogël se vlera që duhet të deklarohet në kufi,” tha gjyqtari Bani./ BIRN

pastrimi i parave

Sondazh

Poll