Aktualitet

Çështja e ujit, Lapaj: Samir Mane, tërhiqu nga Dukati! Punonjësit e tu kanë dhunuar banorët e fshatit.

Lapaj i bën thirrje Manes të tërhiqet nga Dukati, ndërsa i thotë se çështjen e ujit për kompleksin duhet ta mendonte kur e ndërtoi pa cënuar ujin e vendasve.

30 Korrik 2024, 07:39 Nga r.ll
Çështja e ujit, Lapaj: Samir Mane, tërhiqu nga Dukati!
samir mane

TIRANË- Kreu i lëvizjes "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj ka akuzuar biznesmenin Samir Mane, se disa nga punonjësit e tij kanë dhunuar banorët e fshatit Dukat për t'u marrë ujin.

Lapaj i bën thirrje Manes të tërhiqet nga Dukati, ndërsa i thotë se çështjen e ujit për kompleksin duhet ta mendonte kur e ndërtoi pa cënuar ujin e vendasve.

POSTIMI I PLOTË:

Samir Mane, deri sot nuk të kam përmendur kurrë, pasi nuk më rezultoje i ngatërruar në tendera publikë.

Unë sot po të drejtohem në vetë të parë, me emër e mbiemër, sepse punonjësit e tu kanë dhunuar banorët e fshatit Dukat për t'u marrë ujin. Kjo është vijë e kuqe dhe askush nuk duhet t'ia lejojë vetes ta kalojë.

Ti nuk mund të mendosh se, meqë ke para, mund të sillesh si pronar i Republikës. Tërhiqu nga Dukati! Mos e vazhdo atë aventurë! Ujin për banorët e kompleksit tënd gjeje ku të duash! Ta mendoje kur e ndërtove dhe e shite sa frëngu pulën.

Prej disa ditësh banorët e Dukatit kanë organizuar protesta, ku shprehen se uji i pijshëm i fshatit do të shkojë për llogari të investitorëve strategjikë në bregdetin e Bashkisë Himarë. Madje një prej banorëve mbeti i plagosur nga përplasja me rojet.

Prej një jave Dukati ka ujë në sasi të vogël dhe tri ditët e fundit është ndërprerë për shkak të devijimit. Banorët u ankuan se administratori i Orikumit dhe kryeplaku i fshatit kanë bërë marrëveshje të fshehtë dhe se ata do të lejojnë devijimin e burimeve ujore që janë të mjaftueshme vetëm për fshatin. Në ditët në vijim pritet që të bllokohen edhe tyneli i Llogarasë nga protestat.

samir mane adriatik lapaj dukat

Sondazh

Poll