Ekonomi

Fitimi i tregut të sigurimeve u rrit përsëri në tremujorin e parë

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), kompanitë e sigurimeve raportuan një fitim neto prej 732 milionë lekësh, në rritje me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

23 Korrik 2024, 12:34 Nga M.B
Fitimi i tregut të sigurimeve u rrit përsëri në tremujorin e
Foto ilustruese

TIRANA- Fitimi i tregut të sigurimeve vazhdoi rritjen me ritme të larta edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), kompanitë e sigurimeve raportuan një fitim neto prej 732 milionë lekësh, në rritje me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, treguesit e rentabilitetit pësuan një rënie të lehtë krahasuar me tremujorin e parë 2023. Sipas AMF, raporti i normës së fitimit të kapitalit ra në 4.04%, nga 4.69% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa raporti i normës së fitimit të aseteve ra në 1.43%, nga 1.53% që kishte qenë për tremujorin I 2023.

Rritja e fitimeve erdhi nga segmenti më i madh i tregut, ai i Jo-Jetës, ndërsa kompanitë e sigurimit të jetës pësuan një rënie të fitimeve krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës për tremujorin e parë arritën një fitim neto në vlerën e 654 milionë lekëve, në rritje me 13.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e fitimit i detyrohet kryesisht zgjerimit së rezultatit teknik ose rezultatit të lidhur direkt me aktivitetin sigurues. Ky rezultat për tremujorin arriti në 707 milionë lekë ose 14% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Faktori me ndikimin kryesor ishte rritja e primeve të fituara neto.

Por, edhe shpenzimet neto për dëme u rritën me 19.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë që shpenzimet operative të veprimtarisë së kompanive ishin në nivele të përafërta. Ndërkohë, fitimet pësuan rënie në tregun e sigurimit të Jetës. Sipas AMF, për tremujorin i fitimi neto i kompanive të sigurimit të Jetës arriti në 78 milionë lekë, në rënie me 23.5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Rënia e fitimeve erdhi kryesisht nga tkurrja e rezultatit teknik. Ky rezultat preku vlerën e 109 milionë lekëve rreth 19% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithëse primet e fituara neto u rritën edhe në tregun e jetës, rënia e rezultatit teknik dhe e fitimit neto u përcaktua kryesisht nga rritja e shpenzimeve operative, kryesisht për shkak të rritjes së shpenzimeve të marrjes në sigurim (komisioneve të shitjes), por edhe shpenzimeve administrative.

Rezultati i tremujorit të pare 2024 po ndjek fitimet rekord të raportuara nga tregu i sigurimeve për vitin 2023. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), rezultati financiar neto i tregut vitin e kaluar arriti vlerën e 2.76 miliardë lekëve ose 26.6 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, fitimi i siguruesve shqiptarë është rritur me pothuajse 70%./Monitor

sigurimet

Sondazh

Poll