Ekonomi

Yield-et e bonove 12-mujore ulen më tej në 3.19%

Zakonisht, ndryshimi i normës bazë ndiqet nga një lëvizje në të njëjtin kah të yield-it të bonove të thesarit. Në fakt, ulja e yield-eve rezultoi e vogël (nga 3.28% në 3.19%), por sidoqoftë yield-et ishin që më parë mjaft të ulëta, shumë afër nivelit të normës bazë të interesit.

17 Korrik 2024, 07:15 Nga N.F
Yield-et e bonove 12-mujore ulen më tej në 3.19%
Foto ilustruese

TIRANË- Yield-et e bonove të thesarit pësuan sërish një rënie në ankandin e kësaj jave, duke zbritur në nivelin 3.19%. Ky është niveli më i ulët i regjistruar në nëntë muajt e fundit. Ankandi i kësaj jave ishte i pari pas uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, më datë 3 korrik.

Zakonisht, ndryshimi i normës bazë ndiqet nga një lëvizje në të njëjtin kah të yield-it të bonove të thesarit. Në fakt, ulja e yield-eve rezultoi e vogël (nga 3.28% në 3.19%), por sidoqoftë yield-et ishin që më parë mjaft të ulëta, shumë afër nivelit të normës bazë të interesit. Në ankandin e ditës së martë pati një rënie të kërkesës në raport me ankandet e mëparshme dhe shuma e ofruar nga Ministria e Financave nuk u plotësua.

Nga 9.5 miliard lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën gjithsej kërkesa në vlerën e 9.18 miliard lekë, që u pranuan të gjitha. Shuma e rezervuar për Bankën e Shqipërisë ishte sërish mjaft e lartë, me rreth 2.95 miliard lekë ose sa 31% e gjithë shumës së shpallur për financim nga Ministria e Financave.

Në fillim të këtij muaji, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit nga 3.25% në 3%. Kjo ishte lëvizja e parë në ulje e normës bazë, pas një cikli rritjesh të njëpasnjëshme mes marsit 2022 dhe nëntorit 2023.

Rënia e ndjeshme e inflacionit në muajt e parë të këtij viti e ka bindur Bankën e Shqipërisë për t’iu kthyer kahut lehtësues të politikës monetare. Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni në muajin qershor ishte 2.1%, duke qëndruar për të pestin muaj radhazi poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë ka vendosur të ndjekë linjën e Bankës Qendrore Europiane, që e pati ndërmarrë një lëvizje të tillë në muajin qershor.

Qysh më herët, banka qendrore kishte ndërmarrë të tjera lëvizje në kahun stimulues, duke ndërhyrë në kursin e këmbimit për të frenuar rënien e kursit të këmbimit të euros poshtë vlerës së 100 lekëve.

Ulja e normave të interesit vjen në një kohë kur kreditimi po rritet me ritme të shpejta. Në fund të muajit maj, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 783 miliard lekëve, me një rritje prej 12 miliard lekësh krahasuar me muajin prill. Me bazë vjetore, rritja e kredisë ka kërcyer në nivelin 9.9% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për të frenuar rritjen e shpejtë të kredisë dhe në veçanti asaj në segmentin e pasurive të paluajtshme, në fund të muajit qershor banka e Shqipërisë vendosi të aplikojë për herë të parë një shtesë kundërciklike të kapitalit për sektorin bankar. Por, nga ana tjetër, ulja e normave të interesit dhe yield-eve e bën më të lirë edhe kredinë për sektorin privat, duke krijuar stimuj për rritje të mëtejshme të kreditimit./ Monitor

banka e shqiperise bono thesare

Sondazh

Poll