Bota

Goditet nga një sulm ajror izraelit qendra e UNRWA për shpërndarjen e ndihmave, tetë palestinezë humbin jetën

Sipas Reuters ndërtesa e ulët u shkatërrua plotësisht dhe trupat e mbështjellë me batanije ishin të vendosur pranë rrugës, në pritje për t'u marrë.

23 Qershor 2024, 16:52 Nga r.ll
Goditet nga një sulm ajror izraelit qendra e UNRWA për
foto ilustruese

KAIRO- Tetë palestinezë janë vrarë sot nga një sulm ajror izraelit në një kolegj stërvitor pranë qytetit të Gazës që përdorej për shpërndarjen e ndihmave, ndërsa tanket izraelite avancojnë më tej në qytetin jugor të Rafahut. Sulmi goditi një pjesë të një kolegji profesional të drejtuar nga agjencia palestineze e OKB-së për refugjatët UNRWA që tani ofron ndihmë për familjet e zhvendosura, thanë dëshmitarët.

“Disa njerëz po vinin për të marrë kuponë dhe të tjerë ishin shpërngulur nga shtëpitë e tyre dhe po strehoheshin këtu, disa po mbushnin ujë, të tjerë po merrnin kuponë dhe befas dëgjuam se diçka po binte. Ne ikëm.”, tha Mohammed Tafesh, një nga dëshmitarët.

Sipas Reuters ndërtesa e ulët u shkatërrua plotësisht dhe trupat e mbështjellë me batanije ishin të vendosur pranë rrugës, në pritje për t'u marrë.

"Ne nxorëm dëshmorët [nga rrënojat], një që shiste pije të ftohta dhe një tjetër që shiste pasta dhe të tjerët që shpërndanin ose merrnin kuponë," tha Tafesh. “Janë rreth katër-pesë dëshmorë dhe 10 të lënduar, falë Zotit gjendja e të plagosurve është e mirë”.

Juliette Touma, Drejtoresha e Komunikimeve e UNRWA, tha se agjencia po shqyrtonte detajet e sulmit të raportuar përpara se të jepte më shumë informacion.

"Që nga fillimi i luftës, ne kemi regjistruar se rreth 190 nga ndërtesat tona janë goditur. Kjo është pjesa dërrmuese e ndërtesave tona në Gaza," tha ajo. Gjithsej 193 anëtarë të ekipit të UNRWA janë vrarë në konflikt, shtoi ajo.

Më shumë se tetë muaj pas luftës së Izraelit në enklavën palestineze të administruar nga Hamasi, avancimi i tij është i përqendruar në dy zonat që forcat e tij ende nuk kanë kapur - Rafah në skajin jugor të Gazës dhe zonën përreth Deir al-Balah në qendër. Fushata tokësore dhe ajrore e Izraelit në Gaza u shkaktua kur militantët e udhëhequr nga Hamas hynë në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke kapur më shumë se 250 pengje, sipas të dhënave izraelite.
Ofensiva e ka lënë Gazën në gërmadha, ka vrarë pothuajse 37,600 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, dhe ka lënë pothuajse të gjithë popullsinë të pastrehë dhe të varfër.

lufta izrael-hamas rafah unrwa raporti i okb

Sondazh

Poll