Bota

Greqia përfshihet nga flakët/ 300 zjarre në 24 orë, temperaturat mbi 40 gradë

Gjithashtu faktorët kryesorë që kanë kontribuar në ushqyerjen e zjarreve janë temperaturat e larta mbi 40 gradë dhe era e fortë.

20 Qershor 2024, 19:26 Nga E. D
Greqia përfshihet nga flakët/ 300 zjarre në 24 orë,
pamje nga vendngjarja

GREQI- Autoritete greke janë vënë në alarm pasi më shumë se 300 vatra zjarri janë regjistruar brenda 24 orëve.  Gjithashtu faktorët kryesorë që kanë kontribuar në ushqyerjen e zjarreve janë temperaturat e larta mbi 40 gradë dhe era e fortë. Megjithatë edhe zjarrëvënia e qëllimshme është një faktor tjetër.  Vetëm një ditë më parë autoritet zbuluan një person të maskuar që i vuri qëllimisht zjarrin një sipërfaqeje pyjore 5 kilometra në jug të kryeqytetit, Athinë.

Flakët u përhapën pas kësaj me shpejtësi. Është dashur ndërhyrja e mëse 100 zjarrëfikësve nga toka dhe avionëve dhe helikopterëve nga ajri për të bërë të mundur vënien e flakëve nën kontroll. Dy fshatra u evakuuan; dëmet llogariten në disa milionë euro, ndërsa banorët u përfshinë nga paniku.

"U tremba shumë. Sapo dëgjuam lajmin, bashkë me familjen mblodhëm çfarë mundëm. Unë dhe ime motër u larguam të parat, ndërsa prindërit qëndruan pas të kujdeseshin për kafshët“, shprehet Eva Lesioti, studente

Më herët mbrojtja civile njoftoi banorët e Atikës,të Peloponëzit,Evias Kalkidhikisë dhe ishujve të Egjeut, të bëjnë kujdes pasi këto rajone janë në shkallën 4 të rrezikshmërisë për zjarre. Ministria e emergjencave civile publikoi një plan masash për parandalimin e zjarrvënies së qëllimshme, e cila klasifikohet si vepër penale që parashikon burgim disa vjeçar dhe gjoba tepër të rënda për këdo kapet duke shkelur ligjin.

zjarri ne greqi

Sondazh

Poll