Ekonomi

ECB pritet të ulë normat e interesit, por inflacioni krijon ende pasiguri për pjesën e mbetur të vitit

Aktualisht, norma bazë e instrumentit bazë të rifinancimit është 4.5%, ndërsa norma e interesit të depozitave ditore është 4%, të dyja në nivelet më të larta historike. Bazuar në projeksionet e analistëve financiarë, Bordi i ECB-së pritet të vendosë një ulje me 0.25 pikë përqindje të normave të interesit. Nëse kjo ndodh, do të ishte ulja e parë e normave të interesit në Eurozonë qysh prej vitit 2019.

5 Qershor 2024, 14:42 Nga N.F
ECB pritet të ulë normat e interesit, por inflacioni krijon ende
Foto ilustruese

TIRANË- Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Europiane (ECB) do të mblidhet këtë javë për vendimin e radhës të politikës monetare, ku pritet të vendoset ulja e normave bazë të interesit, pas një cikli shtrëngues afërsisht dyvjeçar.

Aktualisht, norma bazë e instrumentit bazë të rifinancimit është 4.5%, ndërsa norma e interesit të depozitave ditore është 4%, të dyja në nivelet më të larta historike. Bazuar në projeksionet e analistëve financiarë, Bordi i ECB-së pritet të vendosë një ulje me 0.25 pikë përqindje të normave të interesit. Nëse kjo ndodh, do të ishte ulja e parë e normave të interesit në Eurozonë qysh prej vitit 2019.

Bazuar në sinjalet e dhëna në muajt e fundit, analistët besojnë se ulja e normave të interesit këtë muaj është shumë e mundshme, megjithëse inflacioni në Eurozonë iu kthye rritjes në muajin maj, për herë të parë gjatë këtij viti.

Megjithatë, analistët po përpiqen të ndërtojnë skenarë lidhur me lëvizjet e Bankës Qendrore Europiane në muajt e ardhshëm.

Sipas një analize të Raiffeisen Research, në skenarin bazë rënia e inflacionit do të jetë e ngadaltë për pjesën e mbetur të vitit 2024. Në muajin maj, norma vjetore e inflacionit në Eurozonë u rrit në 2.6%, nga 2.4% që kishte qenë në dy muajt e mëparshëm. Kjo ishte rritja e parë e inflacionit këtë vit. Ndërkohë, inflacioni bazë u rrit gjithashtu në 2.9%, nga 2.7% që ishte në prill.

Presionet ende të larta inflacioniste që ushtron rritja e pagave, duket të jetë faktori kryesor pas nivelit të lartë të inflacionit bazë.

Kthimi i inflacionit në objektiv pritet të ndodhë vetëm vitin e ardhshëm. Bazuar në këtë skenar, Raiffeisen Research parashikon që normat bazë të interesit do të ulen me nga 0.25 pikë përqindje për çdo tremujor. Një skenar i tillë do ta çonte normën bazë në 3.75%, ndërsa atë të depozitave në 3.25% deri në fund të vitit.

Për momentin, ecuria e inflacionit është më e pasigurt krahasuar me tendencat e dy viteve të fundit. Megjithatë, sipas Raiffeisen Research, një inflacion poshtë kufirit prej 3% do ta bëjë ECB-në të zbusë gradualisht shtrëngimin e politikës monetare.

Vendimmarrja e ECB-së dhe reagimi i tregjeve financiare europiane ka një rëndësi të konsiderueshme edhe në tregun financiar shqiptar, duke mbajtur parasysh nivelin e lartë të Euroizimit.

Një ulje e normave të interesit këtë vit do të ulte koston e kredive në Euro për huamarrësit shqiptarë. Mbështetur në kuotimin e ditës së hënë, Euribori 12-mujor ishte pranë nivelit 3.72%. Ky është edhe treguesi kryesor referues (benchmark) që përdorin bankat në Shqipëri për kreditë me norma të ndryshueshme interesi.

Marre nga Monitor

ecb inflacion

Sondazh

Poll