Ekonomi

Analiza/ 60% e fondeve të Shëndetësisë shkojnë për ndërtim objektesh

Një përqindje shumë e vogël e fondit për blerjen e pajisjeve mjekësore, ngre pyetje mbi ofrimin e shërbimit shëndetësor cilësor ndaj qytetarëve dhe mungesa e pajisjeve të domosdoshme mjekësore në spitalet publike, i detyron shpeshherë individët që t’i drejtohen spitaleve private.

27 Maj 2024, 13:56 Nga B.Z
Analiza/ 60% e fondeve të Shëndetësisë shkojnë për
Foto ilustruese

TIRANË - Në një hark kohor prej 10 vitesh, nga 2014 deri në 2024, rreth 60% e investimeve publike në sektorin e shëndetësisë shkojnë për ndërtime dhe rikonstruksione objektesh  si spitale, qendra shëndetësore e të tjera, ndërkohë që vetëm 13.7% e fondeve totale i kushtohen blerjes së pajisjeve mjekësore.

Një përqindje shumë e vogël e fondit për blerjen e pajisjeve mjekësore, ngre pyetje mbi ofrimin e shërbimit shëndetësor cilësor ndaj qytetarëve dhe mungesa e pajisjeve të domosdoshme mjekësore në spitalet publike, i detyron shpeshherë individët që t’i drejtohen spitaleve private.

Sipas një raporti të NDI Albania dhe Shoqatës Together for Life, investimet publike të financuara nga buxheti i shtetit përbëjnë 58% të totalit të investimeve publike në shëndetësi, ndërkohë që ato me financim të huaj zënë 42%. Planet fillestare të përcaktuara në miliard lekë për investimet publike, janë realizuar më pak nga sa ishte parashikuar. Konkretisht, planifikimi mesatar i investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për vitet 2014-2024 është 27 miliardë lekë, ndërsa janë realizuar 20 miliardë lekë, kjo duke marrë parasysh masën shumë të ulët të investimeve në 2014-ën.

Ndërkohë, referuar ndarjes rajonale të investimeve publike për 10 vite, rreth 82% e fondit total të investimeve është shpërndarë në qytetin e Tiranës, ndërsa mesatarisht 2-2.4% e fondit në qytetet Elbasan, Vlorë, Shkodër, Sarandë, Lezhë dhe Berat. Pjesa e mbetur e investimeve publike i takon qyteteve të tjera të Shqipërisë, me një fond minimal prej 1% të të gjithë totalit në bazë vjetore.

Shpenzimet publike për shëndetësinë dhe politikat e mbulimit ndikojnë drejtpërdrejtë pagesat nga xhepi i familjeve si pjesë e shpenzimeve të përgjithshme shëndetësore. Të dhënat më të fundit tregojnë se shpenzimet për kujdes shëndetësor nga pagesat e xhepit të familjeve, kanë pësuar rënie. Këtë vit pritet që këto shpenzime të jenë 35%.

Me kalimin e viteve, buxheti për shëndetësinë është rritur dukshëm. Gjatë periudhës nga viti 2014 deri në vitin 2022, buxheti për shëndetësinë u rrit 57%, duke arritur vlerën e 65 miliardë lekë në vitin 2022 dhe 95 miliard në vitin 2023. Për këtë vit, buxheti për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale është rreth 98 miliardë lekë, 4.06% e PBB ose 13.4% i shpenzimeve të buxhetit të shtetit.

Marrë nga Scan

shendetesi fonde publike

Sondazh

Poll