Aktualitet

Vrasja e efektivit të Shqiponjave, Prokuroria e Fierit: Autori akuzohet për 2 vepra penale

Po ashtu theksohet se nga ana e policisë gjyqësore, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, po kryhen veprime procedurale me qëllim evidentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes. 

15 Maj 2024, 16:21 Nga I.A
Vrasja e efektivit të Shqiponjave, Prokuroria e Fierit: Autori akuzohet
Autori dhe viktima

FIER- Prokuroria e Fierit ka nisur procedimin penal për vrasjen e efektivit të forcave Shqiponja Novruz Cenalia dy ditë më parë nga Azgan Mernica. Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se procedimi penal nisi për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Po ashtu theksohet se nga ana e policisë gjyqësore, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, po kryhen veprime procedurale me qëllim evidentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes. 

Njoftimi i Prokurorisë: 

Më datë 13.05.2024, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, ka regjistruar procedimin penal nr. 689, të vitit 2024, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 79/b dhe 278 parg. I i K.Penal.

Kjo çështje penale është regjistruar për ngjarjen e ndodhur në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, ku është vrarë me armë zjarri punonjësi i policisë së shtetit N. C.

Nga ana e policisë gjyqësore, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm, të pranishëm në vendin e ngjarjes, pasi janë kryer veprime procedurale si, këqyrje e vendit të ngjarjes, sekuestrimit të provave materiale, sekuestrimit dhe këqyrjes së pamjeve filmike, pyetjes së shumë personave dhe veprime të tjera hetimore që lidhen me natyrën e ngjarjes, është arritur të identifikohet autori i dyshuar, shtetasi A. M., i datëlindjes 15.06.2001, lindur në Fier dhe banues në Sulaj, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier.

Me qëllim vënien e autorit të dyshuar para përgjegjësisë penale, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit po vijojnë në mënyrë të pandërprerë dhe intensive kërkimet për gjetjen e autorit të dyshuar. Gjithashtu, nga ana e policisë gjyqësore, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, po kryhen veprime procedurale me qëllim evidentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.

Novruz Cenalia u vra dy ditë më parë në fshatin Baltëz pas një konflikti të çasti me 23-vjeçarin Azgan Mernica. Konflikti dyshohet se ka nisur për një kalim me makinë në rrugët e ngushta të fshatit. Autori vijon të jetë ende në arrati ndërsa një ditë më parë policia njoftoi se është parë një person i ngjashëm me të në Gjirokastër. Dyshohet se autori ka për qëllim kalimin e kufirit. Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore, por ende nuk është lokalizuar dhe kapur autori.

novruz cenalia azgan mernica

Sondazh

Poll