Aktualitet

Tragjedia në Shkodër/ Fëmijët vendosin lule në bankën e shoqeve të klasës, e afërmja e Alma Arrazit: Nuk ia shpjegoj dot vajzës çfarë ndodhi

Prindërit e fëmijëvë tregojnë se sa e vështirë ka qenë t’i shpjegojnë fëmijeve se pse sot, duhet të shkojnë në shkolle me lule në duar. Drejtuesit e shkollës, jashtë kamerave u shpreh se mësimi nuk do të zhvillohet normalisht por me nxënësit e klasës se dy vogëlusheve do të zhvillohen orë argëtuese për të ndryshuar gjendjen emocionale të fëmijëve.

7 Maj 2024, 09:11 Nga N.F
Tragjedia në Shkodër/ Fëmijët vendosin lule në
Fëmijët me lule në dorë

SHKODËR- Ndryshe nga ditët e tjera mësimi në klasën e dytë të shkollës publike “Ndre Mjeda” nuk mund të zhvillohet normalisht. Pas ngjarjes tragjike që u regjistrua në Shkodër banka e Ergesës dhe Grejsit, që deri pak ditësh kishte libra sot ka lule në ndër të tyre. Bashkëmoshatarët e dy vajzave që humbën jetën në lumin Buna kanë shkuar sot në shkollë me lule në dorë.

Prindërit e fëmijëvë tregojnë se sa e vështirë ka qenë t’i shpjegojnë fëmijeve se pse sot, duhet të shkojnë në shkolle me lule në duar. Drejtuesit e shkollës, jashtë kamerave u shpreh se mësimi nuk do të zhvillohet normalisht por me nxënësit e klasës se dy vogëlusheve do të zhvillohen orë argëtuese për të ndryshuar gjendjen emocionale të fëmijëve.

“Vajza i ka pasur në klasë të dyja vajzat. Ishte shumë e vështirë, vajzës i thashë keni humbur dy shoqe sepse mami i la në Shirokë. Nuk mund t’ja shpjegoja ndryshe. Një fatkeqësi, nuk kam fjalë, gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin kurrë. Shumë e dhimbshme, ngushëllime familjarëve, nuk kam fjalë. Vajza është e vogël për t’i kuptuar këto gjëra, u desh t’i anashkaloja disa gjëra” u shprehën disa prej prindërve.

Mes të tjerash, një prej kushërirave të Alma Arrazit u tregoi se nuk e kishte parë kurrë të mërzitur 39-vjeçaren dhe as fëmijët e saj. Për ngjarjen ajo u shpreh tepër e tronditur duke thënë se nuk ka mundur t’ja shpjegojë vajzës së saj që i kishte në klasë dy vogëlushet trupat e të cilave u gjetën të pajeta.

“Kemi qenë shoqe, si tip kushërirash bashkë, por çfarë të bëjmë, deri këtu e paska pasur të shkruar. Nuk e di çfarë të them është një ngjarje shumë e rëndë. Vajzat i kemi pasur në një klasë, vajzës time nuk ia kam shpjeguar dot, u kam thënë që nuk i ke më shoqet në klasë. Kemi shkuar shumë mirë, kam pasur shumë marrëdhënie të mira, nuk e kam parë kurrë të shqetësuar apo të stresuar. Fëmijët po ashtu nuk kanë pasur stres, nuk i kam parë të qajnë në shkollë, kanë qenë shumë mirë” u shpreh ajo.

Lidhur me ngjarjen, mësohet se kërkimet kanë nisur që ditën e djeshme edhe në Malin e Zi. Vajza 9-vjeçare, Ergesa Arrazi, u gjet e pajetë në lumin Buna pasi dyshohet se u hodh në lumë bashkë me nënën dhe dy fëmijët e tjerë. Vogëlushja u përcoll dje për në banesën fundit ndërsa vijon kërkimi për nënën dhe vëllain e saj 3-vjeçar. Gjithashtu dje u gjet trupi i pajetë i vajzës 8-vjeçare.

zhdukja e nënës me fëmijët e mitur homazhe

Sondazh

Poll