Ekonomi

Rritja e interesave të Euros ka nxitur investimet e sektorit bankar në letra me vlerë jashtë vendit

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit shkurt vlera e investimit të sektorit bankar në letra me vlerë të subjekteve jorezidente arriti në 261.8 miliardë lekë, në rritje me 33.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nëse mbajmë parasysh efektin negativ statistikor të kursit të këmbimit, rritja e investimeve të shprehura në valutë të huaj do të rezultonte më shumë se 40%.

1 Maj 2024, 12:07 Nga M.B
Rritja e interesave të Euros ka nxitur investimet e sektorit bankar në
Foto ilustruese

TIRANA- Rritja e normave të interesit në euro ka nxitur rritjen e ndjeshme të investimeve të sektorit bankar në instrumentet financiarë të subjekteve të huaja. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit shkurt vlera e investimit të sektorit bankar në letra me vlerë të subjekteve jorezidente arriti në 261.8 miliardë lekë, në rritje me 33.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nëse mbajmë parasysh efektin negativ statistikor të kursit të këmbimit, rritja e investimeve të shprehura në valutë të huaj do të rezultonte më shumë se 40%.

Në dy vitet e fundit, Banka Qendrore Europiane ka ndjekur një linjë agresive të shtrëngimit monetar, duke e rritur normën bazë të interesit nga 0 në nivelin 4.5%. Kjo ka sjellë edhe rritje të normave të interesit për instrumentet financiare të borxhit të emetuara në monedhën Euro. Përfundimi i epokës së normave të interesit afër zeros natyrshëm i ka joshur bankat që të rrisin investimet në instrumente financiare me kthime më të larta. Rritja e interesave të euros ishte një nga shtysat kryesore edhe për fitimin e lartë historik të siguruara nga sektori bankar gjatë vitit 2023.

Sektori bankar në vitet e fundit ka shënuar një rritje me ritme mjaft të shpejta të depozitave në valutë të huaj dhe kryesisht në euro, të mbështetur nga rritja e flukseve valutore hyrëse në ekonomi dhe nga përmirësimi i Bilancit të Pagesave. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat në euro u rritën me gati 16% vitin e kaluar. Ndërkohë, normat e interesit ngelen në nivele relativisht të ulëta. Norma mesatare e interesit të depozitave të reja me afat në Euro në fund të vitit 2023 ishte 0.99%, në rritje të vogël nga niveli 0.71% i fundit të vitit 2022. Normat e interesit të depozitave në euro ngelen më të ulëta krahasuar me lekun, kryesisht për dy arsye.

Së pari, publiku shqiptar nuk ka shumë alternativa të investimit financiar në euro dhe kjo bën që fondet në euro të qëndrojnë në banka, pavarësisht interesave më të ulëta. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë aplikon normë interesi zero për rezervën e detyrueshme në monedhën europiane, duke bërë që bankat të kenë kosto më të larta për ndërmjetësimin në monedhën europiane.

Nga ana tjetër, kreditimi i ekonomisë ka qenë i orientuar kryesisht drejt lekut, edhe fakë faktit që për herë të parë në 2023 normat e interesit në monedhën vendase zbritën në nivele më të ulëta krahasuar me ato në valutë të huaj. Një situatë e tillë ka krijuar një bollëk likuiditeti në valutë që bankat e kanë investuar masivisht në instrumente borxhi të emetuesve jorezidentë./ Monitor

euro

Sondazh

Poll