Ekonomi

FMF bleu 20 milionë euro energji për të liberalizuarit në 2023

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) raportoi se vetëm për klientët e lidhur në tension 35 kv janë siguruar 250 milionë lekë, apo 2.4 milionë euro.

19 Prill 2024, 14:42 Nga M.B
FMF bleu 20 milionë euro energji për të liberalizuarit në
Foto ilustruese

TIRANA- Subjektet në tregun e parregulluar, të cilat kishin detyrimin të siguronin të vetëm energjinë, por në fakt e kanë marrë atë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), pasi nuk kanë gjetur furnizues privat, kanë paguar çmime më të lira në 2023 në raport me vitin 2022, si efekt i zbehjes së krizës. Enti Rregullator i Energjisë (ERE) raportoi se vetëm për klientët e lidhur në tension 35 kv janë siguruar 250 milionë lekë, apo 2.4 milionë euro.

“Sasia e energjisë elektrike e shitur për klientët e FMF-së, të lidhur në nivelin e tensionit 35 kV, ka qenë 21.1 GWh, me një vlerë të faturuar prej 250 milionë lekë, duke rezultuar në një çmim mesatar vjetor të realizuar prej 11.83 lekë/kWh”, thuhet në raport.

Por sasia totale për klientët e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit ka qenë më e lartë, pasi pjesë e saj ishin edhe subjektet në tension 20 kv, 10 dhe 6 kv të cilët dolën në treg plotësisht të liberalizuar këtë vit. Për këtë kategori që qeveria e mori në mbrojtje duke i dhënë një çmim pjesërisht të liberalizuar kostoja ishte mbi 18 miliardë lekë.

“Referuar raporteve periodike të ERE-s për vitin 2023, rezulton se sasia e energjisë së konsumuar nga klientët e lidhur në nivelet e tensionit 20/10/6 kV për këtë vit është 1,07 Gwh me një vlerë të faturuar prej afro 18,8 miliardë lekë apo 18 milionë euro.

Zbehja e efekteve të krizës së energjisë që nisi në pjesën e dytë të vitit 2021 dhe kulmoi në verën e vitit 2022 bëri që çmimet të pësojnë një ulje graduale përgjatë vitit që lamë pas por ende jashtë normalitetit historik që njihej para krizës. Kjo ulje e çmimeve në bursa u reflektua edhe tek kostoja më e ulët në tërësi me të cilën FMF siguroi energjinë që ishte 44.56% më lirë se viti paraardhës pra 2022-i.

“Çmimi mesatar i blerjes së energjisë elektrike nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV për vitin 2023 ka rezultuar të jetë 15.17 lekë/kWh. Ky çmim ka pësuar një rënie domethënëse prej 44.56% në krahasim me çmimin mesatar të blerjes së energjisë elektrike të vitit 2022, i cili ka rezultuar 27.36 lekë/kWh.

Në vijim janë paraqitur në formë tabelare të dhënat mujore mbi koston e blerjes së energjisë elektrike të furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV”, thuhet në raport.

Vlera më e ulët për vitin 2023 rezulton në muajin qershor, ku 1 kWh është blerë me 10.45 lekë, ose 61.96% më i ulët se sa çmimi mesatar i ponderuar i blerjes së energjisë në muajin qershor të vitit 2022./ Monitor

energji elektrike

Sondazh

Poll