Politike

"Ndihem fajtor që jam pjesë e kësaj politike", derdhi qumështin para Kuvendit, Sula: Më thanë të dënon Zoti! E bëra për fermerët

Sipas Sulës, ky gjest lidhet me situatën e fermerëve, pasi këta të fundit kanë nevojë për mbështetje.

15 Prill 2024, 13:42 Nga M.B
"Ndihem fajtor që jam pjesë e kësaj politike", derdhi
Dashnor Sula

TIRANA- Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka deklaruar se derdhja e qumështit në hyrje të Kuvendit javën e shkuar, ishte një gjest revolte për të tërhequr vëmendjen. Sipas Sulës, ky gjest lidhet me situatën e fermerëve, pasi këta të fundit kanë nevojë për mbështetje. Sula tha për Vizion Plus se  atë ditë që shkoi me qumështin në Kuvend i thanë "të dënon Zoti".

Ai shtoi se shumica e të rinjve ndihen mjaft të zhgënjyer nga situata në Shqipëri. Sula tha se shpesh vë në dyshim veten pse duhet të jetë pjesë e kësaj politike që, sipas tij, po i shkakton Shqipërisë shumë dëm.

“E kam bërë këtë lloj vepre për të tërhequr vëmendjen sepse e njoh mjaft mirë fshatin. Një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë janë në fshat dhe janë më të persekutuar, më të vuajtur. Qeveria nuk i konsideron fshatarët, fermerët, bujqit. Nuk i konsiderojnë shtresat në nevojë. Ka fjalë që thonë tek opozita që më thonë “ç’të duhet, mbylle gojën”. Atë ditë që vajta me qumështin më kapën e më thanë “po ti, të dënon Zoti për qumështin. Unë shpreh keqardhje për situatën në të cilën ndodhemi.

Shumica e të rinjve ndihen mjaft të zhgënjyer nga situata në Shqipëri dhe kjo më bën të ndihem fajtor si pjesë e kësaj politike dhe shpesh vë në dyshim veten time pse duhet të jem pjesë e kësaj politike që po i shkakton Shqipërisë shumë dëm. Ndihem aq keq sa shpesh e mendoj që duhet të kemi reagime të forta qytetare, por edhe brenda politikës individë që duhet të kuptojnë. Këto zëra duhet të shtohen dhe të vazhdojmë te reagojmë sepse ky vend po shkon drejt një situate katastrofike”, tha Sula.

dashnor sula

Sondazh

Poll